Site icon PrishtinaPress

Mblidhet Kuvendi, në rend dite votimi për çmimet e produkteve themelore

Sot me fillim prej orës 10:00, Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë me punimet nga pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Kuvendi do të ketë në rend dite, votimin e Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, i cili në seancën e kaluar në mungesë kuorumi gjatë procesit të votimit nuk pati vendimmarrje për të.

Po ashtu Kuvendi do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e 4 gushtit, duke filluar me shqyrtimin e 11 amendamenteve të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pika tjera në rend dite janë: Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për noterinë, shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Kurse pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 7 tetor 2022 janë: votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”, votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Ndërkaq pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 15, 22 dhe 23 shtator 2022 janë: votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Po ashtu Kuvendi do të ketë në rend dite edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 29 shtator dhe 3 tetor 2022y e cila është votimi për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e filluar 14 tetor 2022 janë: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021./Prishtinapress/

Exit mobile version