Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e kryesisë së LDK-së.
Sipas Abdixhikut, LDK vlerëson se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk e përmban njohjen.
“Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është papërgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Sot, mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe mbledhjen me kryetarët e Degëve. Në të dy takimet, me unanimitet të plotë, u rikonfirmua qëndrimi i LDK-së mbi procesin e dialogut.
Në vlerësimin tonë, të anëtarësisë sonë, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk e përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është papërgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale.
Në këtë proces, koordinimi i ngushtë me aleatë mbetet jetik për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë.