Për shkak të mungesës së infermierëve nëpër spitalet rajonale, stafi aktual shëndetësorë po punon pa pushime dhe pa orar të rregullt. Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballen në spitalin e Pejës, për shkak të numrit të madh të pacientëve edhe sallën e mbledhjeve dhe zhveshtorën e stafit e kanë kthyer në hapësire për pacientë.
Drejtor i Spitalit rajonal të Pejës, Skënder Dreshaj në një prononcim për Gazetën Insajderin ka treguar se kanë mungesë të infermierëve dhe se janë në prite që të shtohet numrin i tyre në mënyrë që puna të monitorohem më lehtë.
“Kemi mungesë të infermierëve, u deshtë me punu të gjithë pa orar dhe pa pushime, ndodhë që punojmë nga 24 orë. Sot po presim që kanë me u publiku lista e infermierëve, diku 40 infermier pritet t`i shtohen spitalit të Pejës”, tha Dreshaj për Insajderin.
Aktualisht në këtë spital po trajtohet 240 persona me Covid-19, Sipas Dreshajt situata deri më tani është nën kontroll nëse numri i rasteve bien deri në fund të javës.
“Deri tani i kemi 240 pacientë që po trajtohen nga COVID-19, nëse ky fluks deri ka fundi i javës fillon të bien besoj që ja dalim pa krijuar asnjë panik, duke krijuar hapësira të hollëve duke i aprovuar në funksion, nëse vazhdon me u rritë në këtë formë atëherë i kalon kapacitete tona”, ka shtuar Dreshaj.
Sa i përket hapësirës së spitalit, Dreshaj ka treguar se ka shtretër të lirë pasi janë duke shtuar kapacitetin, sallat e mbledhjeve dhe ato të veshjeve tashmë janë kthyer në hapësira për personat Covid-19.
“I kemi kthy hapësirat që kanë qenë të lira në Covid-19, sallën e mbledhjeve, sallat e veshjeve dhe një varg të hapësirave të tjera. Ku i kemi pasur dy shtretër i kemi ba tre, ku kemi qenë të vendosur personeli kemi dal i kemi vendosur pacientët. E kemi lanë vetëm ka 1 dhomë sa për t’i ndërruar rrobat personeli”, tha Dreshaj.
Drejtori Dreshaj, ka thënë se janë të përgatitur që tu japin shërbime edhe pacientëve jo-Covid.
“Vazhdimisht po i ruajmë edhe kapacitete për pacientë jo Covid Ne jemi të përgatitur që pacientëve jo covid tu japim shërbime. Pedriatria, gjinekologjia, kardiologjia, kirurgjia, sallat e operacioneve janë në shërbim të pacientëve jo covid”, tha ai.
Sipas Dreshajt, Spitali i Pejës po qëndron mirë sa i përket furnizimit me barna esenciale për trajtimin e COVID-19, 90 për qind e këtyre barnave mund t`i gjeni në spital.