Mbi gjysmë milioni euro ka kushtuar restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, e cila para tri vjetësh ishte bërë subjekt i një vale reagimesh pro dhe kundër restaurimit.
Nga dhjetori i vitit 2024 e deri më tani, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka publikuar disa njoftime me fotografi në llogarinë e tij në Facebook për restaurimin e kësaj shtëpie, duke e konsideruar si një ndër sukseset e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për vitin që lamë pas.
Por, ekspertë të fushës thonë se nga restaurimi nuk ka mbetur thuajse asgjë nga origjinaliteti që kishte dikur kjo shtëpi. Vërejtje janë dhënë edhe për mbylljen e njërës prej dritareve të monumentit pas restaurimit.
Nga viti 2012, shtëpia e Xhafer Devës është në Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe mbrohet nga shteti.
Në një përgjigje për portalin nga MKRS kanë thënë se restaurimi i shtëpisë së Devës në Mitrovicë ka kushtuar gjithsej 584,176.56 euro.
“Kontrata bazë: 489,980.00 euro, punë shtesë: 48,980.06 euro, punë të pa-parapara: 45,216.50 euro”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së rreth shpenzimeve të bëra për restaurimin e këtij monumenti.
Ndërsa, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) kanë thënë se restaurimi është bërë sipas planit të miratuar nga ta dhe se dritarja e mbyllur në fasadën perëndimore nuk ka ekzistuar para viteve 1990.
“Projekti tash më i realizuar i asetit në fjalë është realizuar sipas projektit të miratuar në IKMM, ndërsa për dritaren e mbyllur në fasadën perëndimore, ajo ka qenë një hapësirë ndriçuese e cila është hapur gjatë shfrytëzimit të ndërtesës nga banorët gjatë viteve 1990/2000, kurse në dokumentet e gjendjes burimore të asetit fasada perëndimore është tërësisht e mbyllur pa hapësira ndriçuese, dokumentacion ky i cili është marrë për bazë gjatë hartimit të projektit për ndërhyrjet konservuese dhe restauruese”, kanë thënë nga IKMM.
Sa është ruajtur origjinaliteti i objektit?
Historiani, Enis Kelmendi ka thënë se thuajse asgjë nuk ka mbetur nga origjinaliteti i monumentit pas restaurimit.
“Sipas kritereve shkencore çdo objekt i trashëgimisë që ka nevojë për ndërhyrje duhet të rekonstruohet, ndërsa objekti në fjalë ka arritur në nivelin e renovimit ku nga origjinaliteti i saj thuajse nuk ka mbet asgjë, si nga fasada, dritaret, plastika e jashtme eksterieri i kornizave te dritareve, etj. Sa i përket dritares se mbuluar është e vërtete që ajo dritare nga ana perëndimore e objektit ka ekzistuar, por është mbyllur nga ana e MKRS-së”, ka thënë Kelmendi.
n e Monumenteve (IKMM) kanë thënë se restaurimi është bërë sipas planit të miratuar nga ta dhe se dritarja e mbyllur në fasadën perëndimore nuk ka ekzistuar para viteve 1990.
Kelmendi ka thënë se edhe fasada e objektit pas renovimit nuk përkon me origjinalitetin.
Pamje e Shtëpisë së Xhafer Devës pas restaurimit.
“Ndryshime janë bërë edhe në kulmin e objektit, i cili nuk është me origjinali që ka qenë, fasada e këtij objekti është e ashtuquajtur në zhargonin e ndërtimtareve FULL FASADË që nuk përkon me origjinalin”- ka pohuar historiani Kelmendi.
Destimini i objektit
Nga MKRS kanë thënë se shtëpia e restauruar e Xhafer Devës do të jetë një qendër multifunksionale.
“Monumenti planifikohet të ketë destinim multifunksional: Hapësirë pune ku do të vendoset Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Mitrovicës; hapësirë pune ku do të vendoset OJQ me programe kulturore; hapësirë ku do të mund të ekspozohen vepra arti”, kanë thënë nga MKRS.
Debatet rreth restaurimit
Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës nisi në 2018, pas një zjarri që kishe kalpuar objektin më 2015.
Por në shkurt të 2022, plani për restaurimin e shtëpisë së Devës nxiti një valë reagimesh, nëse duhet restauruar.
Ishte ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, i cili më 7.02.2022, përmes një postimin ne ‘X” (Twitter) shfaqi shqetësimin e tij lidhur me planet e MKRS-së për restaurimin e këtij monumenti, ish-pronari i së cilës, Xhafer Deva, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skanderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas, Mbro Faktet”, pat shkruar në “X”, ambasadori Rohde”- pati deklaruar ambasadori Rohde.
Reagimi i tij u përcoll me kundër-reagime të shumta, ndërsa ministri Hajrulla Çeku, më 09.2.2022 pait bërë të ditur gjatë një konference për media se MKRS nuk do të heqë dotë nga restaurimi i monumentit.
Xhafer Deva nga Mitrovica njihet si bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë. Ai ishte organizator i themelimit të organizatës “Lidhjes shqiptare të Prizrenit” dhe konsiderohet si ideatori i themelimit të divizionit ushtarak SS “Skanderbeg”. Deva shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944, kur vendi ishte nën kontrollin e regjimit nazist të Adolf Hitlerit.
Pamje e Shtëpisë së Xhafer Devës para restaurimit.
Sipas të dhënave të MKRS-ë, shtëpia e Devës është ndërtuar në vitin 1930-të, në bërthamën e vjetër të qytetit të Mitrovicës. /Kallxo.com/