Site icon PrishtinaPress

Mbi 700 pickime të rriqrave në Malishevë, 3 persona janë dërguar në QKUK

Edhe këtë vit në Komunën e Malishevës janë shënuar mbi 700 pickime nga rriqrat, prej tyre 3 persona janë dërguar në Klinikën Infektive në QKUK. Zyrtarë nga kjo komunë thonë se ata kanë bërë spërkatjet dhe repelimin e kafshëve, por edhe kanë mbajtur ligjërata në shkollat e kësaj komune si të mbrohen nga pickimet e rriqrave.

Komuna e Malishevës njihet si vatër endemike e rriqrave, ku nga paslufta, si pasojë e etheve hemorragjike Krime Kongo, kanë vdekur 18 persona. E kjo vazhdon të jetë ende sfidë për këtë komunë, ndonëse nga viti 2014, përveç pickimeve nuk ka asnjë rast vdekjeje.

Drejtori i Shëndetësisë nga kjo komunë, Hajdin Berisha për Radio Kosovën thotë se përkundër përgatitjeve dhe masave parandaluese që janë ndërmarrë, ka një numër të konsiderueshëm të pickimeve.

“Aktualisht i kemi 752 raste të pickimeve 3 raste i kemi dërguar në Klinikën Infektive. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rënie. Jemi në muajt korrik dhe gusht ku mund të shtohet numri i pickimeve”, tha ai.

Komuna e Malishevës për parandalimin e përhapjes së etheve hemoragjike përveç spërkatjes ka organizuar edhe fushatë për  informimin e publikut.

Megjithëkëtë, drejtori Berisha thotë se shqetësim mbetet repelimi i kafshëve që duhet të bëhet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Berisha sqaron se për ta parandaluar shumimin e rriqrave kanë ndërmarr aksione për pastrimin e deponive të mbeturinave.

“Kemi filluar vit pas viti me eliminimin e deponive pastaj rekomandimet dhe këshillat dhënë fermerëve kemi shkuar tek familjarët t’u tregojmë se si mbahet oborri, pastaj si duhet të përkujdesen për kafshët”, tha ai.

E Halit Mazreku zyrtar për emergjenca në Komunën e Malishevës  sqaron e këtyre ditëve janë duke bërë spërkatjen nëpër zonat endemike.

“Janë trajtuar Malisheva, Drenoci, Caralluka. Pra shkojmë nga dy tri ditë nëpër këto fshatra”, tha ai.

Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit.

Exit mobile version