-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Mbi 70 % e nxënësve nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore

Mbi 70 për qind e nxënësve ende edhe pas përfundimit të muajit të parë të vitit të ri shkollor nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore. Klasat e para qëndrojnë më së miri, ndërkohë që komuna e Vushtrrisë ka numrin më të madh të nxënësve që kanë arritur të sigurojnë librat. Kështu thuhet në analizën statistikore për furnizim me tekstet shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor nga organizata ETEA. Në publikimin e këtij raporti, u tha se ka të dhëna shqetësuese ku tregojnë se 4.3 për qind e mësimdhënësve konsiderojnë se neglizhenca e prindërve ka lënë fëmijët pa libra.

Autori i këtij hulumtimi, Agon Ahmeti tha se qëllimi i këtij raporti është që të sigurohen dhe ofrohen të dhëna objektive për institucionet relevante qeverisëse të arsimit. Ai bëri të ditur se janë hartuar pyetësor dedikuar mësimdhënësve të nivelit fillor nga klasa e parë deri në të pestën.

Ai shtoi se ky raport është përfshirë në nivel vendi, përjashtuar në komunat me shumicë serbe.

“Janë 17 mijë e 99 mësimdhënës në nivelin parafillor, fillor dhe të mesëm të ultë. Dhe në bazë të kësaj të dhëne, bazuar në kritere dhe udhëzime shkencore rekomandohet dhe kërkohet që të nxjerrën të dhëna reprezentative në 367 respondentë. Gjithmonë po flasim për një nivel të besueshmërisë prej 95 për qind të këtyre të dhënave. Gjithsesi marrë parasysh komunikimin me mësimdhënës dhe interesin e tyre, ne kemi pranuar deri më 22 shtator 506 respondentë, mbi bazën e të cilave është hartuar ky raport për të cilin po flasim sot. Hulumtimi shtrihet në nivel vendi dhe se përjashtohen komunat me shumicë serbe, duke pasur parasysh se këto komuna operojnë në kurrikulë serbe”, deklaroi ai.

Tutje, Ahmeti theksoi se kjo analizë tregon se ka mësimdhënës që mendojnë se vetëm 10 për qind e mësimdhënësve janë të pajisur me tekste shkollore.

“E gjetura kryesore e këtij raporti ka të bëjë me pajisjen e nxënësve me të gjitha tekstet shkollore dhe sipas të dhënave që kemi mbledhur nga mësimdhënësit nga Kosova del që në nivel të Kosovës mbi 70 për qind e nxënësve ende edhe pas përfundimit të muajit të parë të vitit shkollor nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore. Nga kjo kuptojmë se vetëm 29,4 për qind e mësimdhënësve kanë deklaruar se 100 për qind e nxënësve në Kosovë kanë siguruar tekstet shkollore. Në ndërkohë 42.3 për qind deklarojnë se janë të pajisur me gjitha tekstet shkollore. Rreth 15 për qind e mësimdhënësve thonë se rreth 81 deri në 90 për qind e nxënësve në klasat e tyre kanë arritur që të pajisen me të gjitha tekstet shkollore, ndërsa pjesa tjetër që përfaqëson një shifër prej 12.7 për qind janë më pak 80 për qind të nxënësve nëpër klasë që kanë arritur të pajisen me tekste shkollore”, shtoi Ahmeti në konferencë për media.

Disa nga shkaqet që kanë ndikuar që fëmijët të mos sigurohen me libra, siç tha Ahmeti, janë mungesa e teksteve shkollore në librari të qyteteve dhe sigurimi i mjeteve përmes platformës “eKosova”.

“Sipas të dhënave del se klasat e para qëndrojnë më së miri, me gjithsej 42,6 për qind të mësimdhënësve të cilët thonë se 100 për qind e fëmijëve në klasat e tyre kanë arritur që të sigurojnë tekstet shkollore. Ndërsa, më së dobëti qëndrojnë klasat e pesta me 16,7 për qind të mësimdhënësve të cilët deklarojnë se kanë arritur të sigurojnë tekstet shkollore nxënësit e klasave të tyre. Raporti gjen se sa më të rritur të jenë fëmijët, aq më dobët qëndrojnë me sigurimin e teksteve shkollore. Krahasimet janë bërë edhe mes komunave dhe në bazë të këtyre krahasimeve del që komuna e Vushtrrisë prin me nxënës që kanë arritur të pajisen me të gjitha tekstet shkollore, ndërsa pasohet nga Komuna e Prishtinës dhe dy komuna të tjera që janë ajo e Mitrovicës dhe e Skenderajt”, përfundoi Ahmeti.

Në konferencën për media, Ahmeti theksoi se ky raport ka edhe të dhëna shqetësuese.

“Ky raport gjen një të dhënë shqetësuese ku 4,3 për qind e mësimdhënësve konsiderojnë se neglizhenca e prindërve ka lënë fëmijët pa libra edhe një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor”, tha ai më tej.

Edhe Taulant Gashi nga organizata “ETEA” u shpreh se më shumë se gjysma e mësimdhënësve konsiderojnë se vendimi i ministrisë ka pasur ndikim negativ në procesin mësimor.

“Sipas të dhënave që ETEA nxjerrë nga hulumtimi në fjalë del që 45,5 për qind e mësimdhënësve konfirmojnë deklarativisht se kanë punuar bazuar në plan-programit të tyre. Në anën tjetër deri në 14 për qind nuk e ndjekin fare plan-programin sepse e lidhin me mungesën e teksteve shkollore. Derisa 40,5 për qind punojnë me plan program, por konstatojnë që fëmijët ngecin të ndjekin orën mësimore, duke bërë kështu që 54,5 për qind të shkollave në Kosovë punojnë në mënyrë të pa sistemuar”, shtoi ai.

Bazuar në hulumtimin e “ETEA”, rreth 70 për qind e mësimdhënësve mendojnë që vitin e ardhshëm duhet të vijohet me praktikën e furnizimit me tekste shkollore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img