-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Mbi 300 amendamente në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën

Plot 305 amendamente janë paraqitur nga deputetët e Parlamentit Evropian në draft-raportin vjetor për Kosovën, të cilin e ka përpiluar raportuesja nga radhët e Të Gjelbërve, Viola von Cramon.

Për këto amendamente dhe për tekstin në tërësi do të votohet më 26 prill në takimin e Komisionit parlamentar për çështje të jashtme, ndërsa, në muajin maj, raporti duhet të shkojë për miratim në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Një numër i madh i amendamenteve pritet të hidhen poshtë apo të tërhiqen, sepse kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky proces tashmë është përmbyllur në Parlamentin Evropian, me miratimin e vendimit përfundimtar dhe me nënshkrimin e aktit ligjor, i cili është bërë më 19 prill mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.

Megjithatë, ka edhe amendamente nga deputetët e së djathtës ekstreme, të cilët kërkojnë që liberalizimi i vizave, por edhe procesi i zgjerimit të BE-së të mos ndodhin, sepse, sipas tyre, paraqesin rrezik për BE-në.

Për shembull, në paragrafin ku thuhet se “zgjerimi i BE-së është dëshmuar të jetë mjeti më i mirë për zgjerimin e paqes në Evropë”, deputeti gjerman nga radhët e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë, Bernhard Zimniok, ka propozuar që të thuhet se zgjerimi “ka dëshmuar të jetë një prej politikave më destabilizuese në 30 vjetët e fundit”.

Deputetët e ekstremit të djathtë nga Franca, Jean-Lin Lacapelle dhe Thierry Mariani, kanë propozuar që në tekst të raportit për Kosovën të thuhet se ”Kosova ka dhënë numrin më të madh te xhihadistëve në Siri dhe Irak nga Evropa, krahasuar me numrin e banorëve”.

Edhe në të kaluarën, deputetë të këtyre rrymave kanë tentuar që në raport, Kosova të paraqitet si vend nga i cili vjen rreziku për sigurinë e Evropës, por përpjekjet e tilla nuk kanë gjetur mbështetje nga shumica në Parlamentin Evropian.

Numri më i madh i amendamenteve kërkon që të përshpejtohet procesi i zgjerimit dhe që BE-ja të ecë përpara drejt përfshirjes së Kosovës në këtë proces, po ashtu.

Shumica e amendamenteve të propozuara kërkojnë që të mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që vendet anëtare ta miratojnë vendimin në drejtim të dhënies së statusit të kandidatit.

Sikur edhe viteve të mëhershme, ka një numër të madh të amendamenteve të paraqitura nga deputetët që vijnë nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – sidomos Spanja – përmes së cilave kërkohet që të hiqen të gjitha pjesët e tekstit që Kosovës i referohen si shtet sovran dhe i pavarur.

Në tentimet e mëhershme, kërkesat e tilla janë hedhur poshtë, sepse në Parlamentin Evropian vendimet merren me shumicë votash dhe aty ekziston një shumicë e madhe që mbështet sovranitetin e Kosovës.

Për më tepër, edhe këtë herë, pritet që me tekstin e këtij raporti të ftohen pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja – ta bëjnë një gjë të tillë.

Teksti i draftit të raportit, që është paraqitur nga raportuesja von Cramon, përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë.

Në tekst, Parlamenti Evropian mirëpret “aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin pro evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik”.

Aty “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës” dhe përsëritet, sikurse edhe viteve të kaluara, thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se vendi ka pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bëhet ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrin më shumë veprime për t’u përballur me sfidat në rrugëtimin evropian.

Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe normalizimi i raporteve me Serbinë”.

Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Parlamenti Evropian mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Në këtë tekst përshëndetet përkushtimi për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e gjyqësorit në Kosovë, që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.

Keqardhje shprehet për “ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit” dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.

Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë, në tekst përshëndetet fakti se vendi “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por shprehet shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shprehet shqetësim për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve atje.

Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për dialog, i cili do ta forconte besimin e ndërsjellë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, që zhvillohet me lehtësimin e BE-së në Bruksel, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit, për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e marrëdhënieve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu bëhet thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img