-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Mbi 3 mijë aplikues, nis alokimi i mjeteve financiare për përfituesit e izolimit të shtëpive

Ka nisur alokimi i mjeteve financiare tek qytetarët për subvencionimin e izolimit të shtëpive. Janë mbi 1 mijë qytetarë që kanë përfunduar punimet në shtëpitë e tyre, derisa jo të gjithë i kanë marrë paratë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Ndërkaq, Fondi është në proces të alokimit për ata që i kanë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.

Përkundër faktit që gratë kanë pasur përparësi në këtë program subvencionimi, numri i atyre qe kanë aplikuar është vetëm 2 për qind krahas numrit të përgjithshëm.

Kështu bënë të ditur Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Konjuhi thekson se marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit, ndërsa shton se çdo ditë alokojnë paratë në llogari të qytetarëve përfitues.

Pavarësisht se ka ende kohë për t’i kryer punimet, Konjuhi shprehet se gjysma e qytetarëve në kohë kanë përfunduar ato.

“Tashmë është përmbyllur i tërë procesi i vlerësimit të aplikimeve. Fondi ka pranuar gjithsej 3 mijë e 321 aplikime, ku rreth 1010 janë aplikime të cilat janë pa raportin e auditorit dhe janë në listë të pritjes, ndërsa nga aplikimet e tjera janë lëshuar 2 mijë e 150 letra të para aprovimit.

Në këtë fazë jemi duke pranuar aplikimet për disbursim, d.m.th kërkesat për disbursim të parave dhe janë mbi 1 mijë persona që tashmë kanë lajmëruar fondin që kanë përfunduar punimet. Marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit dhe për çdo ditë po nënshkruhen marrëveshje, e çdo ditë po dalin para në llogari të qytetarëve…

Pothuajse gjysma e qytetarëve kanë përfunduar punimet. Të gjithë qytetarët që kanë marrë letrat e para aprovimit kanë gjashtë muaj kohë prej kur kanë pranuar letrat, kështu ende është herët”, tregon Konjuhi.

Megjithatë, ajo tregon se ka raste që qytetarët po thërrasin Fondin ende pa kryer punimet, për çfarë bënë thirrje përfitueseve që mos të lajmërojnë pa përfunduar në tërësi punimet sepse vonohet procesi.

Gjatë kohës se terrenit janë hasur disa familje të cilët kanë lajmëruar Fondin që kanë përfunduar punimet, kurse kur kanë shkuar kompania verifikuese kanë parë që punimet ende janë në proces dhe kjo prolongon procesin, për shkak se kompanitë do duhej të rikthehen përsëri tek ato familje kur ata të kenë kryer në të vërtetë punimet dhe këto familje shkaktojnë vonesa edhe tek qytetarët e tjerë të cilët veçse janë në pritje, sepse kanë përfunduar përnjëmend punimet.

Kështu vonohet procesi dhe ju lutem qytetarëve që mos të lajmërojnë fondin që kanë kryer punimet pa i bërë ato, sepse pastaj kompanitë do duhej që ta shtynë procesin për të gjitha familjet e tjera, edhe ata që kanë kryer punimet e që janë në listë të pritjes”, potencon Konjuhi për Kosova Press.

Përkundër faktit që gratë kishin përparësi të subvencionohen me 5 për qind plus, vetëm 2 për qind e totalit ishin përfituese gra.

“Gratë janë subvencionuar me një 5 për qind plus, por përkundër këtij fakti, numri i tyre të cilët kanë aplikuar si pronare të shtëpive është i vogël, vetëm rreth 2 për qind të totalit të cilët kanë përfituar”, thekson Konjuhi.

Mes tjerash Konjuhi tregon fazat që duhet të plotësojnë përfituesit deri tek disbursimi.

“Qytetarët në momentin që dorëzojnë kërkesën për disburusim përmes e-mailit, disbursimi@fkee-rks.net. FKEE i merr këto kërkesa dhe i liston, i ruan dhe ato më pas shqyrtohen nga Komisioni verifikues për të parë nëse dokumentet janë të plotësuara. Dokumentet e plotësuara siç duhet, dorëzohet tek kompanitë verifikuese të cilat janë të ndara sipas regjioneve dhe këto kompani më pas i kontaktojnë familjet dhe shkojnë i verifikojnë punimet.

Kur kryhen verifikimet e punimeve, ata hartojnë një raport të detajuar të cilin e dorëzojnë tek fondi me të cilën dëshmojnë që punimet janë kryer sipas letrës së para aprovimit të cilën kanë marrë qytetarët. Në momentin që Fondi pranon raportin, këto shndërrohen në marrëveshje të disbursimit për të cilat qytetarët i pranojnë në adresën e tyre bashkë me kohën kur mund të vinë të nënshkruajnë”, përfundon Konjuhi.

Sipas saj, sfidë në këtë projekt mbetet plotësimi i dokumentacionit. Ajo thotë, se shumë qytetarë që dorëzojnë kërkesat për disbursim, nuk e plotësojnë siç duhet dokumentacionin e kërkuar.

Duke folur për qytetarët që kanë aplikuar në thirrjen “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, Konjuhi shpjegon se përfituesit duhet t’i dorëzojnë faturat në mënyrë të detajuar dhe jo të përgjithësuar.

Sipas Konjuhit, komuna e cila prinë me përfitues për subvencionim është Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj, Vushtrri, Gjakovë, Gjilan, Prizren. Ndërsa thekson se më së paku aplikues ka nga komunat veriore të vendit.

Kujtojmë se, me qëllim të kursimit më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka mbështetur programin për subvencionimin e termoizolimit të mureve të jashtme, termoizolimit të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5.500 euro. /KP/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img