Site icon PrishtinaPress

Mbi 20 fshatra në Prishtinë ende s’janë të lidhura në rrjetin e “Ujësjellësit”

Nxjerrja e ujit me kovë nga bunari është e zakonshme për Selim Gashin nga fshati Mramor i komunës së Prishtinës.

Por, edhe këtë ujë që e nxjerr nga bunari që ka hapur në oborrin e shtëpisë së tij, e përdor vetëm për ujitje.
E, për pije, ai thotë se i duhet të blejë ujë, pasi nuk ka ujë të pijshëm, e as rrjeti i ‘Ujësjellësit’ nuk është i shtrirë në fshatin e tij, sikurse edhe në mbi 20 fshatra të tjera në komunën e Prishtinës.
Edhe banorët e fshatit Busi, që gjendet në këtë zonë kanë të njëjtin hall, raporton KTV.
Ndërkohë, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Shefki Gashi, i cili vjen nga kjo zonë, thotë se për fillimin e zgjidhjes së këtij problemi në linjën Llukar – Mramor- Slivovë, ku përfshihen 8 fshatra, Kuvendi Komunal ka ndarë 90 mijë euro në vitin 2015.
Ai thotë se ekziston mundësia e lidhjes me liqenin e Badovcit, i cili gjendet vetëm pak kilometra larg këtyre fshatrave.
Gashi, partia e të cilit ka qeverisur me Prishtinën, që nga paslufta e deri në vitin 2013 thotë se më herët nuk e kanë kërkuar shtrirjen e rrjetit të ‘Ujësjellësit’ në këtë zonë, sepse kanë pritur fabrikën e ujit në Shkabaj, pasi pas lansimit të saj ka kapacitet të mjaftueshëm edhe për mbulimin e këtyre fshatrave.
Por, në komunë kanë mohuar ekzistencën e një plani të tillë të fizibilitetit, madje një i tillë nuk figuron as në projektet me buxhetin e vitit 2015, të cilin e ka prezantuar komuna.
Ndërsa, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se përkundër dëshirës për t’i përfshirë të gjitha fshatrat në rrjet, me sistemet ekzistuese të ‘Ujësjellësit’ në Komunën e Prishtinës është e pamundur që të mbulohen të gjitha fshatrat. E, veçmas ato që janë në zona të thella malore dhe janë larg tubacioneve magjistrale, për shkak të problemeve teknike dhe kompleksitetit në infrastrukturë.
Ajo ka thënë se duhet të punohet edhe në nivelet qendrore dhe lokale, dhe të gjenden donatorë për të investuar në projekte për zgjerimin e rrjetit.

Exit mobile version