Interesimi për të marrë patentë shoferë duket të jetë i lartë dhe i vazhdueshëm.
Sigurisht, për marrjen e patentë shoferit, duhet kaluar disa procedura testimi. Kështu, vetëm për test me shkrim gjatë periudhës janar- shtator të këtij viti, kanë aplikuar 18 mijë e 141 persona, derisa 8159 nga ta kanë dështuar.
Në po të njëjtën periudhë kohore, testit në praktikë i janë nënshtruar 16 mijë e 813 persona, ku 12 mijë e 197 kanë kaluar, kurse 4616 dështuan.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, gjatë muajve janar- shtator me patentë shoferë janë pajisur 12 mijë e 197 persona.
Megjithatë, jo rrallë herë është folur rreth asaj se ka korrupsion sa i përket marrjes së patentë shoferit.
Lidhur me këtë, ministri Pal Lekaj thotë se ka kërkuar nga organet kompetente disa herë që të ketë mbikëqyrje të vazhdueshme.
“Kjo është çështje që duhet ta konstatojmë ose organet kompetente. Unë personalisht kam bërë thirrje publike që ky segment të mbikëqyret nga të gjithë kompetentet dhe çdo njeri që mund të bëjë veprime antiligjore edhe të llojit në fjalë, do të ndërmerren masa sipas ligjit”, ka thënë Lekaj në një prononcim për Indeksonline.
Ai poashtu ka bërë me dije pritet të bëhen ndryshime sa i përket ligjit për patentë shofer.
“Ndryshimet e fundit janë bërë, kanë qenë harmonizimi i këtij ligji me Ligjin për Kundërvajtje. Ndërsa sa i përket ndryshimeve tjera do të shohim në ditët në vijim. Por disa gjëra në raport me çka rregullon ligji për patent shoferë mund të bëhen edhe me akte nën ligjore”, ka theksuar tutje ministri Lekaj.
Nga ana tjetër, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj konsideron se ka mangësi të shumta tek ligji për patentë shoferë.
Sipas tij, fakti që nuk kemi ende një databazë për evidentimin e shkeljeve të drejtuesit të automjetit do të thotë shumë.
“Ligji për patentë shofer ka mangësi të shumta, jemi në shekullin 21 dhe jetojmë në territor të bashkësisë ndërkombëtare dhe ne ende testohemi në mënyrë manuale, nuk e kemi testimin, nuk e kemi mbikëqyrjen e instruktorëve, në mënyrë që të lejohet instruktori me dhënë përgjegjësi për secilin kandidat i cili shkon dhe testohet në mënyrë praktike. Se shteti nuk i ka krijuar organet që mundet të bëjë mbikëqyrje të sigurt. Nuk ka ndonjë testim, për shkak të zhvillimit të korrupsionit. Që e zënë 2-3 herë me shpejtësi dhe me alkool dhe i eliminohen pikët në patentë shoferë, ne ende nuk kemi data-bazë për ediventimin e shkeljeve të drejtuesit të automjetit. “, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.
Dedaj, konsideron se janë shumë faktor që ndikojnë në shtimin e e aksidenteve në komunikacion. “Janë shumë faktor që munden me shkaktua aksidente në trafik, secili aksident që ndodh duhet t’i bëhet një analizë për t’i mësuar faktorët, e Kosova nuk ka institucione që mund të bëjnë analiza të tilla edhe me delegu dikë për përmasa preventive, Kosova s’ka. Faktori njëri ndikon në 95%, te na është më pak dukshëm, për shkak të elementit të rrugëve dhe automjeteve, atëherë faktori njeri duhet me ndërmarrë masa preventive, edukative. “, ka shtuar tutje ai gjatë bisedës.
Madje, Dedaj ka edhe ankesa për Këshillin e Sigurisë, i cili është formuar nga Ministria e Infrastrukturës me qëllim të zvogëlimit të aksidenteve në komunikacion.
“Është e pamundshme që Këshilli që u formua në kuadër të Ministrisë, që me ndikuar drejt për së drejti në zvogëlimin e numrit të aksidenteve, për shkak se një këshill i tillë i sapo formuar nuk ka njerëz profesional. Kë mundet me këshillua këshilltari i një ministri,kur ata të gjithë janë juristë, kur ata kanë njohuri për profile krejtësisht të kundërta. Janë shumë faktor që munden me shkaktua aksidente në trafikë, secili aksident që ndodh duhet me ju bë një analizë që me i mësua faktorët, e Kosova nuk ka institucione që munden me u bë analiza të tilla edhe me deleguar dikë për përmasa preventive, Kosova s’ka. Faktori njëri ndikon në 95%, te na është më pak dukshëm, për shkak të elementit të rrugëve dhe automjeteve, atëherë faktori njeri duhet me ndërmarrë masa preventive, edukative.” , ka vlerësuar Dedaj.