Site icon PrishtinaPress

Mbi 1 milion pliko të dorëzuara në ATK

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se ka arritur mbi 1 milion numri i plikove me kuponë fiskalë të dorëzuara nga qytetarët. Ndërsa shuma e rimbursuar, deri më tani, është 15.5 milionë euro.

Fushata e rimbursimit të qytetarëve nga kuponët e dorëzuar fiskalë, e cila ka nisur të implementohet në muajin prill të viti 2015, në vazhdimësi ka treguar interesimin e qytetarëve për të qenë pjesë e saj, thotë Administrata Tatimore. “Këtë e tregojnë më së miri statistikat nëpër periudha”, theksohet në njoftim.

Duke iu referuar grafikonit shihet se rritja e interesimit të qytetarëve ndryshon në secilën periudhë. ATK-ja beson se kjo ndodh edhe si rezultat i perceptimit dhe besimit të mirë të publikut-qytetarëve ndaj ATK-së.

ATK-ja falënderon qytetarët, të cilët janë duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në gjithë përfshirjen e procesit të fiskalizimit.

ATK-ja i rikujton qytetarët se aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskalë për TM4/2016, ka filluar nga data 1 janar 2017 deri më 31 janar 2017. Ndërsa, afati i dorëzimit të plikove me kuponë fiskalë bëhet nga data 1 janar 2017 deri me 4 shkurt 2017./Lajmi.net/

Exit mobile version