Site icon PrishtinaPress

Mbetën në mes të detit te “Rana e Hedhun”, 2 të rinjtë shpëtohen nga policia kufitare (VIDEO)

Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin kanë marrë njoftim se dy shtetas që ishin futur në det, me një mjet lundrues Jet Ski, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, nuk ishin kthyer në breg dhe kishin humbur kontaket me familjarët e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare kanë nisur menjëherë kontrollet, me mjetet lundruese të Policisë Kufitare. Pas gjysmë ore kërkimi, është lokalizuar në det, rreth 5 milje larg nga bregu, 17-vjeçari (pasagjer i mjetit lundrues), i cili po tentonte të dilte në breg, me not, për të kërkuar ndihmë, pasi mjeti lundrues Jet Ski me të cilin po lundronte bashkë me shokun e tij, kishte pësuar defekt.

Menjëherë, shërbimet e Policisë e kanë marrë 17-vjeçarin në mjetin e tyre lundrues dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.

Më pas, shërbimet e Policisë Kufitare kanë lokalizuar në det, 18-vjeçarin që kishte mbetur në det sepse mjeti lundrues Jet Ski që po drejtonte kishte pësuar defekt dhe rrezikonte të fundosej. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin e tyre lundrues, 18-vjeçarin dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë tërhequr në breg, mjetin lundrues Jet Ski që kishte pësuar defekt.

Të dy shtetasit që u shpëtuan nga shërbimet e Policisë Kufitare, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

-Po gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin iu shkuan në ndihmë në dy raste, 4 shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det (një shtetasi austriak dhe 3 shtetaseve nga Kosova).

Exit mobile version