Site icon PrishtinaPress

Mbështetja e Rusisë për Ballkanin e Hapur, BE refuzon të marrë qëndrim

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, nuk arriti të realizojë vizitën e tij të planifikuar në Beograd meqë tri vende ballkanike, anëtare të NATO-s, ia ndaluan të kalojë hapësirën e tyre ajrore. Për moslejimin e vizitës së tij në Serbi, Lavrov mbajti një konferencë për media, në të cilën përveç revoltës së shprehur ndaj Perëndimit, zbuloi edhe disa nga mesazhet që pati në plan t’i shpaloste në Beograd.

Për herë të parë ai tregoi se Rusia e mbështet iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe madje akuzoi Perëndimin se pikërisht për të mos e lejuar që ta shprehë përkrahjen e tij edhe ia mbyllën hapësirën ajrore.

“Ata nuk duan që ne të shprehim mbështetjen tonë për iniciativën e Beogradit, ‘Open Balkan’. NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në një projekt të tyre të quajtur “Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov duke iu referuar Ballkanit të Hapur.

Këtë deklaratë s’e komentoi Bashkimi Europian në një përgjigje për Gazetën Express, por tha se janë të vetëdijshëm brenda Unionit për përpjekjet e Rusisë që të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Gjithashtu, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, përkujtoi se kreu i diplomacisë ruse, si përhapës dezinformatash, është ndër të sanksionuarit rusë për shkak të agresionit në Ukrainë.

“S’e shohim të nevojshme të komentojmë deklaratat e Larovit, i cili është në listën e sanksioneve të BE-së për promovimin e agresionit të paligjshëm që minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe që është i përfshirë në përhapjen e dezinformatave. Përpjekjet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor janë të njohura dhe Rusia nuk është e kualifikuar për të gjykuar bashkëpunimin e BE-së me partnerët në Ballkanin Perëndimor. Mund të kujtoj vetëm se aktivitetet e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj dëshirës dhe kërkesës eksplicite të partnerëve tanë për të punuar ngushtë me BE-në dhe për t’iu bashkuar BE-së si një komunitet i kombeve që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, tha Stano.

Deklarata mbështetëse e Lavrovit për nismën e Ballkanit të Hapur, ndaj të cilës vetëm Kosova tregoi kokëfortësi për të mos iu bashkuar meqë Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina me pjesëmarrjen e tyre në samitin e sotëm në Ohër treguan se kanë lëvizuar nga pozicioni refuzues që mbajtën deri më tani, shkaktoi reagime në opinionin publik në atë se është një nismë që po e nxit Rusia. 

Ndonëse e konsideruan shqetësuese që Rusia e mbështet një iniciativë të tillë ku pjesëmarrëse janë shtetet që e synojnë anëtarësimin e BE-së, disa analistë edhe iu gëzuan kësaj deklarate.

Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, tha se Lavrov i dha “puthjen e vdekjes” projektit, duke aluduar se një deklaratë e tillë nga Kremlini duhet të çojë në dështimin e tij.

“Sikurse duhet falënderuar Putinin që i injektoi jetë NATO-s, lavdërime edhe për Sergey Lavrov që i dha puthjen e vdekjes Ballkanit të Hapur. Kjo ide e administratës së Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën Aleksandar Vuçiqin”, ka shkruar Joseph sot në Twitter.

Derisa njohësi tjetër i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, duke shpërndarë një pjesë nga konferenca e Lavrovit, tha se Ballkani i Hapur është një mjet i Kremlinit për një qëllim të caktuar dhe rekomandoi që të hiqet dorë nga kjo nismë.

“Kremlini e sheh “Ballkanin e Hapur” si një mjet të dobishëm për përmbysjen dhe ndarjen e Evropës. Qeveritë properëndimore duhet të braktisin skemën dhe të mos ndjekin agjendën Moskë-Beograd”, ka shkuar Bugajski./Gazeta Express/

Exit mobile version