Votimi i rishikimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës e vuri në pah mbështetjen e PDK-së karshi qeverisë Hoti. Përkitazi me këtë, përfshirja e PDK-së në qeverinë e kryesuar nga LDK-ja, po shihet të jetë e pashmangshme në periudhën aktuale politike.
Mungesa e numrave në Kuvend të shefit të ekzekutivit, Avdullah Hotit dhe propozim-aktakuza ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit po konsiderohet nga njohësit politikë si ndër arsyet e përfshirjes së partisë të këtij të fundit në qeveri. Derisa modalitetet e përfshirjes së PDK-së në ekzekutiv po ndërlidhet dhe me marrjen e postit të presidentit.
Një mundësi të tillë po e sheh si jo të befasishme, analisti politik, Albinot Maloku, i cili për KosovaPress, thotë se ky bashkëpunim do të konkretizohet.
“Ky bashkëpunim me siguri që mund të jetë i konkretizuar si pasojë e vullnetit palëve, por edhe si pasojë e mos fuqisë politike brenda Kuvendit të Kosovës të qeverisë aktuale. Ju e dini shumë mirë që qeveria aktuale ka 61 deputetë, shto situatën që ndodhi më përpara ngeli në 58 deputetë në kuptimin e mundësisë dhe forcës politike për të shtyrë ligje ose të ngjashme. Në këtë rrafsh mundësia për të pas një koalicion shtesë pas koalicionit aktual mes LDK dhe PDK-së nuk do të kishte me qenë në asnjë formë befasi”, thotë ai.
E përfshirjen e PDK-së në koalicionin qeverisës e sheh edhe njohësi tjetër politik, Krenar Shala.
Ai thotë se qëllimi i partisë opozitare është shmangja e zgjedhje në këtë periudhë kohore.
“Kemi të bëjmë me një situatë pas aktakuzave ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së. Situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe tashmë është evidente që PDK-ja do të tentojë t’i bashkohet qeverisë me çdo kusht në mënyrë që të shmangen zgjedhjet sepse ato shkaktojnë frikë të madhe për partitë e vjetra…gjasat janë shumë të mëdha që PDK-ja të pajtohet në qeveri pa kushte, pra pa asnjë kushte”, thotë ai.
Ndërkaq, drejtoresha e CiviKos, Donika Emini konsideron se nëse PDK-ja do të përfshihet në qeveri, automatikisht do të diskutohet pozita e të parit të shtetit.
“Duke i marrë parasysh rrethanat dhe manovrat politike në Kosovë besoj që kjo do të ishte lehtë e besueshme. Sa do të ishte legjitime ajo qeveri, është një problem tjetër, sepse po bëhet rokada e dytë brenda një viti duke rrëzuar një qeveri, formuar një qeveri të re pasuar mandatin tek partia e dytë. Pastaj po zgjerohet për t’iu përshtatur një agjende politike në nivel ndërkombëtar… Konsideroj se nëse ka përfshije eventuale të PDK-së normalisht që do të diskutohet pozita e presidentit”, thotë ajo.
KosovaPress ka tentuar të marrë qëndrimet e dy partive për një bashkëqeverisje të mundshme, mirëpo përkundër insistimit në PDK dhe LDK nuk kanë pranuar të deklarohen.
Ndërkohë, një bashkëpunim të tillë, tërthorazi e kërkoi edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa disa ditë më parë, i cili tha se Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe forcim të shtetit. /kp