Site icon PrishtinaPress

Mbappe: Kurrë s’e kam kërkuar largimin, Messi meritoi më shumë respekt

Kylian Mbappe insiston se kurrë nuk e ka kërkuar largimin nga Paris Saint-Germaini, përkundër faktit se nuk dëshiron ta vazhdojë kontratën me klubin aktual, derisa ajo aktualja do t’i skadojë në verën e vitit 2024.

Sulmuesi francez u rikthye në qendër të vëmendjes këtë javë pasi parisienët po ankohen se ai nuk po pranon ta vazhdojë për një vit kontratën, siç ishte marrëveshja, sipas tyre, shkruan “Gazeta Express”.

Për këtë arsye, ata mund të vendosin ta shesin qysh këtë verë, për të mos e humbur pa para vitin tjetër.

E në këtë rast, nënkampioni i botës ndihet i pastër.

“Nuk kam kërkuar as të më shesin e as të shkoj në Real Madrid. Vetëm e kam konfirmuar se nuk dua ta aktivizoj një vit më shumë të paraparë në kontratë. Me PSG-në nuk kam folur kurrë për vazhdimin e kontratës, por jam i lumtur të qëndroj këtu edhe në sezonin e ardhshëm”, deklaroi njëri prej sulmuesve më të mirë në botë për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”.

24 vjeçari foli edhe për sezonin e fundit, ku parisienët dështuan prapë ta fitonin Ligën e Kampionëve, një objektiv që e kanë qe një kohë të gjatë.

“Objektiv për një person si unë është që t’i fitojmë krejt titujt e mundshëm. Ne e dinim se kishim mangësi dhe se herët apo vonë do t’i paguanim ato. Duhet të mësosh nga gabimet për të mos i përsëritur çdo sezon”, vazhdoi ish-futbollisti i Monacos.

Ndër të tjera, Mbappe foli edhe për bashkëlojtarin e tij të deridjeshëm, Lionel Messi, për të cilin insiston se meritoi më shumë respekt në Paris.

“Potencialisht po flasim për futbollistin më të mirë në histori të futbollit. Kur një lojtar si Messi shkon, nuk është kurrë një lajm i mirë. Nuk e kam kuptuar se përse aq shumë njerëz janë ndier ashtu si të çliruar me largimin e tij. Në Francë nuk e ka marrë respektin që e meritonte”, përfundoi Mbappe.

Rrugën e largimit të Messit mund ta ndjekin edhe Mbappe e Neymar në verën që po vjen, ndërsa PSG-ja po planifikon të bëjë revolucion në ekip për sezonin e ardhshëm.

Exit mobile version