Mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve. Shpeshherë të dyshuarit dalin të jenë edhe të moshave të reja, të cilët kapen me mjete të mprehta e armë zjarri.
Sinjali mëson se një rast i tillë është zbuluar edhe së fundmi, në rrugën “Tirana” në Prishtinë, ku gjatë patrullimit Policia ka ndaluar një 20-vjeçar, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur një mjet të mprehtë, thikë, armë kjo që është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për armëmbajtje pa leje.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“