Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) organizon tryezën “Shqipëri – Kosovë: dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe”.
Tryeza mbahet në ora 10:00.
KFOS dhe OSFA në dhjetor të vitit 2018 kanë përfunduar një hulumtim të gjerë në Kosovë dhe Shqipëri për të matur ndërveprimin dhe qëndrimet e qytetarëve të të dyja vendeve për një sërë çështjesh si: niveli i bashkëpunimit, distanca sociale, imazhet për fqinjët, integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, perceptimet dhe stereotipat ndaj njëri-tjetrit, qëndrimet ndaj bashkëpunimit zyrtar të të dyja vendeve dhe qëndrimet ndaj bashkimit kombëtar.
Ky studim pati dy qëllime kryesore: Së pari të evidentojë natyrën e ndërveprimit ndërmjet qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe eksplorimin e mundësive për intensifikimin e këtij ndërveprimi. Së dyti të evidentojë bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet dy vendeve në sektorë specifikë dhe të identifikojë mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi në këta sektorë.
Studimi, po ashtu ka për qëllim që t’i ndihmojë vendimmarrësit dhe politikëbërësit në hartimin e kursit më efektiv për politikën e jashtme, projektet e bashkëpunimit dhe marrëveshjet në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor, por edhe entitete të tjera.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe Shqipëri kanë bashkëpunuar për t’i hulumtuar më thellë temat në fushat si arsimi, marrëdhëniet diplomatike, bashkëpunimi strategjik, bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi evropian me qëllim zbatimin e politikave të përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në këto fusha.