Është mbajtur sot takimi i radhës i Këshillit përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Në këtë takim që është kryesuar nga ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, është raportuar për aktivitetet e zhvilluara në periudhën midis dy takimeve të Këshillit, disa ndryshime të bërë në Agjensionin e Financimit të Shëndetësisë, raportimin rreth zhvillimit të aktiviteteve sipas planit dinamik për përgatitjet për mbledhjen e premiumeve shëndetësore dhe përgatitjet e tjera për këtë proces sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu, në takim u bisedua edhe për aspekte të ndryshme teknike që kanë të bëjnë me regjistrin civil, pakon e shërbimeve shëndetësore, përcaktimin e kategorive që do të lirohen nga pagesa përmes testit zyrtar të varfërisë, fillimin e zbatimit të marrëveshjeve midis Ministrisë dhe komunave për pagesën e performancës për kapitacion, etj.
Ministri Rrahmani ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit dhe institucionet që kanë përgjegjësi që të ndihmojnë në fillimin e procesit të zbatimit të sigurimeve shëndetësore që të përmbushin përgjegjësitë e tyre, ndërkohë që u theksua se para fillimit të mbledhjes së premiumeve, qytetarët do të informohen për mes një fushate informuese për sigurimet shëndetësore , përgjegjësitë dhe përfitimet e para.