3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Mazhoranca me minimumin e numrave në Kuvend

Mazhoranca në Kuvendin e Kosovës, momentalisht ka mbetur me vetëm 61 deputetë për të miratuar projektligjet, nga gjithsej 66 sosh sa kishte në fillim.

Largimi nga Grupi Parlamentar i deputetëve Haki Abazi dhe Fatmir Humulli, mospjesëmarrja me muaj në votim e deputetes Drita Millaku, si dhe shkuarja në pushim të lehonisë të deputeteve Saranda Bogujevci dhe Tinka Kurti, e ka tkurrur mazhorancën në numra. Kësisoj, mungesa e një deputeti të pushtetit për çfarëdo arsye po e stopon punën e Kuvendit në miratimin e projektligjeve, pasi deputetët opozitarë nuk po marrin pjesë në votim.

Në anën tjetër, monitoruesit e punës së legjislativin thonë se edhe ngërçi mes pozitës dhe opozitës për çështjen mjeteve vetanake të komunave, do të pamundësojë miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Sfidat brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i pranon edhe vetë shefja e këtij grupi, Mimoza Kusari-Lila, por ajo kritikon opozitën se po refuzon të kryejë detyrën e vet kushtetuese që të marrin pjesë në votim.

“Dy deputete janë në pushimin e lehonisë, janë deputetja Saranda Bogujevci dhe deputetja Tinka Kurti. Tash grupi jonë parlamentar ka 61 deputetë aktiv që marrin pjesë në votime dhe japin mbështetje qeverisë në nismat legjislative, qofshin ato që janë edhe me shumicë të thjeshtë. Në situatën kur një deputet i Lëvizjes ose vonohet apo ka ndonjë angazhim apo është në udhëtim pamundësohet vendimmarrja, pasi opozita refuzon të kryejë detyrën e vet kushtetuese dhe obligative që e kanë, të marrin pjesë në votim. Opozita tash e ka reduktuar rolin e vet opozitarë në dy pika, në deklarime jashtë rendit të ditës dhe mbajtje të diskutimeve në çështje që ata i mendojnë se janë të rëndësishme, siç ishte rasti me kërkesën për interpelancë për arrestimin e drejtorit të KEK-ut që është çështje tërësisht e prokurorisë dhe organeve të drejtësisë”, thotë ajo për KosovaPress.

Mirëpo, shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri thotë se opozita nuk e ka obligim me ia bërë kuorumin mazhorancës. Ai thekson se mbledhja e dhjetëra pikave që shtyhen seancë pas seance, shpërfaq pazotësinë dhe paaftësinë e mazhorancës në Kuvend.

“Është e pabesueshme papërgjegjshmëria e mazhorancës në Kuvend. Na u kanë mbledhur me dhjetëra mos të them qindra pika që shtyhen në seancë pas seance. Kjo situatë nuk mundet me vazhdu kështu. Vazhdimi i kësaj situate tregon për një krizë serioze të Kuvendit që vjen si rezultat i mazhorancës, kjo qasje është e papërgjegjshme dhe shumë pak shtetëformuese. Ne si opozitë kemi marrë pjesë në shumë ligje, si GP AAK-së kemi qenë shumë të përgjegjshëm për ligje të rëndësishme, por edhe marrëveshje ndërkombëtare, por këtu nuk jemi këtu për t’i bërë kuorum mazhorancës, ne jemi me shpërfaqë një pazotësi dhe paaftësi që e ka mazhoranca në Kuvend”, thotë Tahiri.

Ndërkaq, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet deklaron se Kuvendi po çalon në përmbushjen e agjendës legjislative në sesionin pranveror.

Ai deklaron se deri tani 27 për qind e ligjeve që janë miratuar janë marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa shton se një e treta e projektligjeve që janë në procedurë, janë po ashtu marrëveshje ndërkombëtare.

Prandaj, Jakaj e sheh të nevojshme daljen nga ngërçi i krijuar në Kuvend, ku pozita duhet të merr iniciativën për konsultime me opozitën për shqetësimet e tyre në Ligjin për Buxhetin.

“Nëse e vërejmë agjendën legjislative deri më tani, tek ligjet e miratuara, shohim se 27 për qind e ligjeve që janë miratuar janë marrëveshje ndërkombëtare. Nëse e shohim se sa projektligje të marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në procedurë, del se janë 16 për qind. Pra gati një e treta e projektligjeve janë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë votat e dy të tretat e deputetëve. Në këtë rast shumica parlamentare nuk e ka këtë numër të nevojshëm për kalimin e projektligjeve. Për këtë arsye pozitës i takon të zhvillojë konsultime të mëdha dhe duhura me opozitën për cilindo ligj”, deklaron Jakaj.

Megjithatë, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë se do të tentojnë që në ditët kur janë të gjithë deputetët e pozitës në Kuvend, të procedojnë tutje projektligje dhe raporte ku nevojitet shumica e thjeshtë.

Ajo pret se kjo gjendje të jetë deri në fund të muajit qershor, kur mund të kthehen dy deputetet nga pushimi i lehonisë.

“Është domosdoshmëri për të ruajtur kuorumin bazik, kjo do të ndodh besoj deri në qershor, kur do të kemi kthimin e njërës ose dyja nga deputetet që janë në pushim…Do të duhet shkathtësi e veçantë që të caktojmë ditë kur jemi të gjithë vetëm ne të pozitës dhe mos të kemi asnjë shtyrje që mos të procedojmë. Megjithëse duket shumë artificialisht kur jemi vetëm ne deputetët e pozitës kur kryhet votimi, pasi duket si mekanik edhe pse ka diskutime. Por, është ndryshe kur ka diskutime pozitë-opozitë, prandaj kjo mungesë apo largim i opozitës apo mospjesëmarrje në votim dëmton drejtpërdrejtë edhe demokracinë në vend dhe nuk po i jep pamje të mirë Kosovës”, deklaron Kusari-Lila.

Mungesa e kuorumit në vendimmarrje gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka bërë që shtyhen vazhdimisht seancat plenare dhe të grumbullohen pika të shumta të pa shqyrtuara.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img