-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

MASHT ka një kusht për rritjen e pagave për mësuesit në Kosovë

Mësimdhënësit të cilët do të gradohen me licencë të përhershme, do të kenë edhe ngritje të pagës. Ky proces do të fillojë pasi të hyjnë në fuqi udhëzimet administrative, të cilat janë duke u përgatitur nga Ministria e Arsimit.

Në kuadër të pakos së ndryshimeve legjislative është edhe draft-udhëzimi administrativ për licencimin e mësimdhënësve. Grupi punues ka hartuar draftin për këtë udhëzim dhe shumë shpejt do të fillojë diskutimi i gjerë me mësimdhënës për këtë pako ligjore.

Mësimdhënësit, të cilët dëshirojnë të gradohen me licenca të avancuara dhe të përhershme, do t’iu nënshtrohen disa vlerësimeve, të cilat do të përcaktohen pasi të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ për licencimin e mësimdhënësve, që Ministria e Arsimit është duke e përgatitur.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili është edhe përfaqësues në Këshillin Shtetëror të Licencimit, ku janë punuar edhe udhëzimet konkrete, tha për Radio Kosovën se në këto udhëzime, përveç licencës së punës për mësimdhënësit, parashihet edhe mundësia e gradimit të tyre për të arritur licencën e përhershme, e që do të ketë edhe rritje të pagës.

“Te Ligji i Pagave, na është thënë se do të ketë një rritje në page prej 10 për qind për mësimdhënësit, pasi kanë licencën e punës, ku në mënyrë vullnetare do të aplikojnë për t’u sprovuar për të kaluar nga një gradë në një gradë tjetër, e që do t’ua sigurojë një ngritje page, siç thotë Ligji”, deklaroi Rrahman Jasharaj.

Jasharaj, sqaroi se nuk do të ketë testim për mësimdhënësit, por vetëm ata që duan të gradohen më lartë dhe të përfitojnë licencën e përhershme e ngritjen e pagës, do t’u nënshtrohen disa kritereve që do të përcaktohen me udhëzimin administrativ.

“Me këtë udhëzim do të hapet rruga që të bëhet edhe vetëvlerësimi, në mënyrë që mësimdhënësit ta ripërtërijnë licencën e punës dhe në këtë mënyrë të krijohen parakushtet për të aplikuar edhe për licencën tjetër, për mësimdhënës të avancuar. Licencën e punës e kanë të gjithë dhe do t’iu ripërtërihet e do të bëhet një vetëvlerësim I brendshëm nga drejtori dhe DKA-ja. Më pas do të krijohen kushtet, pas publikimit të kritereve, ku secili nga mësimdhënësit vendosin vetë nëse duan të aplikojnë apo jo për t’u graduar për licencë të përhershme. Mësimdhënësit nuk duhet të shqetësohen nëse dëgjojnë fjalë për testim, pasi asnjëri nuk do të jetë i detyruar që të marrë pjesë në garën për ta fituar një gradë të re, por e tëra do të jetë e bazuar me vullnetin e tyre”, theksoi Jasharaj.

Ndërkohë, në një përgjigje për Radio Kosovën, përmes adresës elektronike, Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se grupi punues ka hartuar draftin për këtë udhëzim dhe shumë shpejt do të fillojë diskutimi i gjerë me mësimdhënës për këtë pako ligjore.

“Ky draft i udhëzimit, parasheh tri nivele të licencave: licencën e karrierës, licencën e avancuar dhe licencën e përhershme. Kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performansës, i brendshëm dhe i jashtëm dhe vlerësimit që pritet të organizohet nga Ministria e Arsimit. Në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Këto nivele të licencave vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar.

Zbatimi i këtyre niveleve të licencës do të fillojë pas finalizimit të kuadrit ligjor.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img