Site icon PrishtinaPress

Masakra e Rezallës, Kurti thirrje ndërkombëtarëve që të lypin drejtësi nga Serbia për viktimat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar masakrën e Rezallës së Skenderajt ku sipas tij, 98 burra e djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë.

Kurti tha se të shtënat kishin zgjatur 30 minuta, ndërsa pas ekzekutimit mizor e barbarë, më 5 prill 1999 forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

“29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”.

“Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, shkroi Kurti.

Tutje, kreu i qeverisë tha se e vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive, teksa tha se nuk mund të lejojë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

“Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri”, tha ai.

Exit mobile version