Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë sot një konferencë për media.
Në njoftimin e bërë për media nuk janë dhënë detaje se cila është tema që do të flitet në këtë konferencë, teksa thuhet se konferenca do të mbahet në ora 13:00.
Telegrafi ka tentuar të marrë vesh nga Qeveria se cila është arsyeja e mbajtjes së kësaj konference, por deri tani nuk ka ndonjë përgjigje.
Ndryshe, javën e kaluar Qeveria mori vendim që me masat e reja antiCOVID të mbyllen edhe kopshtet e fëmijëve, duke mos dhënë afat të caktuar se kur mund të rihapen. Gjithashtu, edhe shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura shkaku i rritjes së numrit të rasteve me coronavirus gjatë ditëve të fundit.
Ndërkaq, sipas vendimit të Qeverisë, fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë për datën 26 shtator.
Për vendimin për mbylljen e kopshteve ka reaguar Asociacioni i Çerdheve private të Kosovës.
Gëzime Rexhepi – Çollaku, kryetare e Asociacionit të Institucioneve Parashkollore Private të Kosovës në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se kërkojnë nga Qeveria që ky vendim të rishikohet dhe nga e hëna e ardhshme të fillojnë punën çerdhet, në të kundërtën ato mund të mos të hapen as pas dy javësh.
“Kishim takim [të hënën] me bashkë themelueset e institucioneve parashkollore private, ku diskutuam gjerë e gjatë, sepse është sfidë e llojit të vet dhe nuk e di si do t’ia dalim. Vendosëm që të ftojmë Qeverinë që të rishikohet vendimi, që së paku deri të hënën e ardhshme të fillohet puna. Në të kundërtën do të ftojmë të gjitha kopshtet private që pas dy javësh mos të hapen fare”, tha ajo.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 368 raste të reja me COVID-19. /Telegrafi/