Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar për marshin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë, gjykimi i të cilëve pritet të nis më 3 prill.
Mustafa thotë se ky manifestim meriton përkrahje, teksa pjesëmarrësve u bën të ditur se me mendje do jetë me ta kur të marshojnë.
Postimi:
“Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim!
Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve.
Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s.
Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidar sot me të gjithë ata që kontribuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi!
Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi. IM”./PrishtinaPress/