“A mundet një grusht individësh diku në Kremlin të vendosë nëse do të ketë ushqim në tryezat e njerëzve në Egjipt apo Bangladesh? Një përgjigje e fortë ndërkombëtare nevojitet tani si në OKB ashtu edhe në nivele të tjera, duke përfshirë G 20”.
Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në videon e zakonshme të mbrëmjes, duke sulmuar Rusinë pasi u ndalua marrëveshja për eksportet e grurit.
Pas sulmit në Krime, Rusia pezulloi marrëveshjen e grurit për një kohë të pacaktuar. Një vendim ky që për Kievin është “një pretekst i rremë”, ndërsa SHBA e quajti vendimin skandaloz.
OKB-ja ndërkohë përpiqet të ndërmjetësojë.
Katër anije luftarake të Flotës së Detit të Zi të Federatës Ruse, raportohet se shpërthyen në Gjirin e Sevastopolit. Rusia akuzoi Britaninë se ka kontribuar në përgatitjen e sulmit me dron në Krime dhe se është përfshirë në shpërthimet që ndodhën në gazsjellësin Nord Stream.
Por Britania i ka mohuar akuzat e Rusisë që ka ndihmuar Ukrainën të sulmojë me dronë Krimenë, duke thënë se Rusia po i çon pretendimet e rreme në një shkallë epike./Prishtinapress/