Site icon PrishtinaPress

Marrëveshje para zgjedhjeve në BE dhe SHBA – krejt çka deklaroi Lajçak sot në Prishtinë

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dje ka marrë rrugën drejt Beogradit e Prishtinës, ku u takua me krerët shtetërorë. Gjatë ditës së sotme, Lajçak zhvilloi takime me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin, kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e kreun e ekipit negociator, Besnik Bislimi, raporton Gazeta Sinjali.

Emisari evropian në orët e para të mbrëmjes u deklarua para mediave kosovare lidhur me diskutimet që pati me liderët kosovarë. Ai fillimisht pohoi se ka pak përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, teksa kërkoi që sa më parë të nis implementimi i marrëveshjes së arritur në shkurt të vitit të shkuar.

Lajçak ka thënë se meqë do të ketë zgjedhje në BE dhe zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë kjo nënkupton se vëmendja do të fokusohet në këtë proces.

“Pra ne kemi hyrë në vitin e ri, 2024 dhe siç e dini është një vit specifik me zgjedhjet në BE dhe ato në SHBA, që dmth se vëmendja më vonë këtë vit do të jetë e fokusuar në këto procese dhe prandaj kam udhëtuar për në Beograd dje dhe në Prishtinë sot, në mënyrë që të diskutojmë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të shohim se ku jemi dhe të diskutojmë sa progres mund të arrijmë para se të hyjmë në këto procese zgjedhore. I dini rezultatet e rëndësishme në dialog para fundit të vitit, marrëveshja për energjinë, njohja e targave, përfundimit i regjimit të stikersave në targa… por ka pak progres në pikëpamjen e gjerë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, tha Lajçak.

Në takim me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi, u diskutua edhe lidhur me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Sipas emisarit evropian, pyetja e vetme që duhet të bëhet tani për Marrëveshjen e është se kur duhet të fillojë zbatimi i saj, e për çka thotë se duhet të bëhet pa vonesa.

“Ne kemi marrëveshjen prej shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar, që dmth nuk ka nevojë për pyetjet se çfarë duhet të bëhet, nuk kemi nevojë as të pyesim se si ta bëjmë. Pyetja që ia bëjmë vetes është kur dhe sigurisht po të më pyesni mua, iu them që sa më parë që është e mundur dhe pa vonesa të fillohet me implementimin e marrëveshjes. Kemi pasur diskutime të gjata me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi dhe tani unë patjetër që do t’i analizoj ato që kam dëgjuar, dje nga presidenti Vuçiq dhe sot nga partnerët e mi këtu dhe unë do t’i informoj lidershipin e BE-së dhe SHBA-në, si dhe do të përgatisim se cilët janë hapat e mëtejmë. Ne vërtetë dëshirojmë që procesi i normalizimit të vazhdojë, sepse kjo sjellë benefite për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu”, tha Lajçak.

Ndër tjera, ai ka shtuar se çfarë është biseduar me Kurtin dhe Bislimin, do ta analizojë dhe do t’ua dërgojë shteteve anëtare të BE-së.

“Unë me ato çfarë kam biseduar me liderët këtu dhe në Serbi të gjitha i kam marrë, do t’i analizoj informacionet dhe do t’i informojë shtetet anëtare të BE-se dhe lidershipin atje, mendoj se normalizimi duhet të vazhdojë sepse sjellë benefite në të mirë të njerëzve këtu”, tha ai në një prononcim për media.

Emisari i BE-së ka thënë se gjatë takimit është diskutuar edhe ndalimi i dinarit serb nga Banka Qendrore e Kosovës, për të cilin ka thënë se “nesër do të jepen më shumë informata”.

Exit mobile version