Site icon PrishtinaPress

Marrëveshja Serbi-Rusi, vjen reagimi nga Albin Kurti: Duhet të alarmohen kryeqendrat perëndimore

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq përveç që nuk njeh shtetin e Kosovës dhe krihet e bëra nga regjimi i Millosheviqit, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç ishte edhe marrëveshja e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, e cila duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

Kurti i bëri këto komente derisa ka komentuar deklaratën e Vuçiqit, i cili ka thënë se ka informacione që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në kërkim të artilerisë me largësi prej më shumë se 10 kilometrash.

“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Milloshevicit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha ai.

Përndryshe, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme./Prishtinapress/

Exit mobile version