4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Marrëveshja me KFOR-in për pikat kufitare dhe refuzimi nga serbët, Sveçla: Njësia Speciale largohet kur të hiqen barrikadat

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla tha sot se Policia e Kosovës po qëndron në pikat kufitare me Serbinë për siguri të qytetarëve dhe kjo sipas tij nuk është as provokim, as kërcënim për asnjë qytetar por përkundrazi sipas tij, ligjshmëria në veri është parakusht për zhvillim, mirëqenie e prosperitet të vendit dhe qytetarëve atje.

Sveçla në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij austriak Karl Nehammer, tha se Austria ashtu si aleatët tjerë të botës demokratike janë pozicionuar drejt sundimit të ligjit, paqes, sigurisë dhe interesit të përbashkët.

“Në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, angazhimet tona nuk përbëjnë kurrfarë dallimi dhe do të sigurohemi që rendi dhe ligji të sundojnë në krejt vendin.

Policia e Kosovës qëndron në pikat kufitare për siguri të qytetarëve dhe respektim të plotë të vendimeve legjitime të qeverisë demokratike të Kosovës.

Kjo nuk është as provokim, e as kërcënim për asnjë qytetar të Republikës sonë, përkundrazi ligjshmëria në veri është parakusht për zhvillim, mirëqenie, prosperitet të vendit dhe qytetarëve atje”, tha ministri Sveçla.

Sipas tij, vendimet e shtetit po zbatohen me sukses dhe deri tani janë lëshuar mbi 11 mijë targa të përkohshme nga institucionet e zbatimit të ligjit.

Ndërkaq, ministri austriak tha se Kosova është një partner i rëndësishëm për Austrinë kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar, trafikimin dhe luftimin e migrimit të paligjshëm.

“Ne kemi biseduar sot që këtë bashkëpunim dëshirojmë ta intensifikojmë edhe në nivelin e Policisë. Kemi biseduar për situatën me migrimin, që është sfidë për Austrinë, pasi është ndër vendet që është më së shumti i ngarkuar me migrimin e paligjshëm”, tha ai.

Sveçla ka folur edhe për vendosjen e trupave të KFOR-it në veri, afër Njësisë Speciale. Ai thotë se KFOR ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për sigurinë në veri.

Sveçla ka folur edhe lidhur me atë se kur mund të kthehet Njësia Speciale nga veriu.

“Njësitë Speciale të policisë në veri janë për të mbështetur punën e institucioneve tjera. Në momentin që do të përfundojë nevoja për këtë mbështetje nuk kemi asnjë arsye që Njësia Speciale të qëndrojë aty. Kjo do të duhej qëtë përfundonte sa më parë”, ka thënë ai.

“Që nga dita e parë e kemi bërë të qartë që masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk është e drejtuar kundër qytetarëve të cilësdo përkatësi. Është përmbushje e obligimit ligjor për të siguruar sundim të rendit dhe ligjt edhe në aspektin e respektimit të vendimit për targat. E kemi bërë të qartë se angazhimi i Njësisë Speciale, nuk është bërë kundër qytetarëve tonë por është bërë për të mbrojtur pikat tona kufitare dhe personelin që shërben aty; policinë e kufirit dhe doganierët. Pas vendosjes së barrikadave ne kemi parë një ashpërsim të retorikës së autoriteteve serbe por edhe përfaqësuesve të strukturave paralele në Kosovë që kanë portretizuar angazhimin e Njësisë Speciale si represion për ta. Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e Njësisë Speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandatit të KFOR-it është refuzu nga elemnetet ekstremiste dhe dëshmuan se nuk janë të brengosur me praninë e Forcave Speciale por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, shtoi ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img