Site icon PrishtinaPress

Marrëveshja me Danimarkën për burgjet, kapaciteti i Kosovës e kushtet që duhet të plotësohen

Burgu në Gjilan është në dispozicion për të burgosurit e huaj të cilët dërgohen nga Danimarka aty sipas marrëveshjes së lidhur në mes të dyja shteteve në prill të vitit të kaluar.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka thënë se ka mjaftueshëm hapësirë dhe kapacitete në institucionet korrektuese për të burgosurit e huaj.


Në një intervistë për EkonomiaOnline ai ka shtuar se aktualisht janë rreth 1,800 persona në qendra burgimi dhe paraburgimi në Kosovë.

“Sot kur po flasim, i kemi 1 110 të dënuar dhe 600 të paraburgosur. Zakonisht kjo shifër varion 1 700-1800 persona që mbahen në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit, ndërsa kapaciteti në institucionet tona, është 2 800, pra kemi mjaftueshëm shtretër të lirë për dallim prej shteteve tjera. Si rezultat i kësaj dhe vlerësimit të nivelit të trajtimit të personave që mbahen dhe rritjes së standarteve të larta evropiane, Danimarka ka bërë kërkesë për të marrë një burg me qira. Natyrisht në këtë burg do të punojnë edhe stafi jonë korrektues dhe përveç të mirave materiale që do t’i përfitojmë nga kjo marrëveshje, ne pritet të marrim edhe praktikat më të mira të shtetit danez, sepse në burgun e Gjilanit do të zbatohet rendi shtëpiak danez. Sigurisht që guvernatori do të jetë danez, por drejtori do të jetë kosovar, natyrisht edhe stafi korrektues nga Kosova”, u shpreh ai.


E sa i përket qirasë së burgut të Gjilanit të cilën do t’ia paguajë Danimarka, janë edhe disa kushte. Dibrani ka thënë se nuk do të ketë të burgosur me mbi 10 vjet e as ata me rrezikshmëri të lartë.

“Në burgun e Gjilanit nuk do të ketë persona të cilët janë të dënuar mbi 10 vjet, nuk do të ketë të dënuar që janë me rrezikshmëri të lartë, pra do të jenë të dënuar me rrezikshmëri të mesme. Në burgjet e Kosovës kemi persona me rrezikshmëri shumë të lartë dhe rrezikshmëri të lartë, kështu që nuk ka asnjë lloj problemi sa i përket trajtimit të kësaj kategorie”.

Dibrani ka shtuar tutje se stafi korrektues i Kosovës do të trajnohet dhe do të udhëtojë në Danimarkë për t’u mësuar me praktikat e rendit shtëpiak danez.

Shërbimi Korrektues i Kosovës në dy vjetët e fundit ka parandaluar 120 raste të kontrabandës me narkotikë e gjëra tjera të ndaluara, ka deklaruar Dibrani. Këtyre rasteve nuk u ka shpëtuar as stafi korrektues, ku 14 prej tyre janë arrestuar për shkak të përfshirjes në kontrabandë.

“Vetëm dy vjetët e fundit kemi mbi 120 raste të parandalimit të kontrabandës, të cilat janë adresuar edhe në institucionet përgjegjëse. Në rast se marrim vetëm shifrat krahasuese në dy vitet e fundit ka parandalim më shumë se shumë vite më herët, jemi shumë larg shtete të Evropës e mos të flasim për rajonin. Ne po flasim për burgje dhe kontrabanda në burgje në asnjë rrethanë nuk mund të mendohet që të parandalohet sepse ka lloj-lloj formash përmes të cilave të dënuarit ose familjarë e tyre tentojnë të fusin brenda përfshi narkotikë, telefona e gjëra tjera të ndaluara”, ka thënë ai.

“Ka edhe raste kur stafi është i involvuar në këto dukuri, por siç jeni në dijeni edhe në këtë aspekt ne kemi shënuar rekord në raport me arrestimet dhe largimet nga puna. Vetëm dy vitet e fundit kemi mbi 14 raste të personave të cilët janë në ndalim, në burg dhe në procedura të ndjekjes. Po flasim për shifra rekord në raport me parandalimet, arrestimet dhe largimet nga puna të shërbyesve civil”, ka shprehur Dibrani.

Exit mobile version