1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Marrëveshja LVV-LDK pas tre muaj negociatash, dialogu me Serbinë, sfidë për Qeverinë ‘Kurti’

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar sot marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.

Marrëveshja për bashkëqeverisje  është nënshkruar nga liderët e LVV-së dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pas bisedimeve të gjata dhe qëndrimeve të forta të dy subjekteve politike në ndarjen e posteve udhëheqëse.

Qysh para zgjedhjeve të 6 tetorit 201, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin shprehur vullnetin, që të ishin partnerë në koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Kur Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, pasuar nga LDK-ja, grupet e ekspertëve të të dy partive, filluan punën për të harmonizuar programin qeverisës. Më 7 nëntor, dy partitë deklaruan, se kishin arritur dakordimin për programin qeverisës dhe se hapi tjetër ishte ndarja e pushtetit, e cila çështje u tha se do të zgjidhej në takimet mes liderëve të dy partive.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, në fund të muajit nëntor, Albin Kurti pati deklaruar se dy partive do t’u nevojiteshin 72 orë, për të ndarë pushtetin. Por, çështja e presidentit, të cilën e vendosi në tavolinë LDK-ja, bëri që marrëveshja të mos arrihej menjëherë.

Mosarritja e një dakordimi për ndarjen e pushtetit, bëri që në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që u mbajt më 26 dhjetor, 2019, të dy partitë të shkonin pa marrëveshje.

Në këtë seancë, Glauk Konjufca ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit, me votat edhe të deputetëve të LDK-së.

Dy partitë prezantuan ofertat e tyre, për të gjetur kompromis për tejkalimin e dallimeve, por, LDK-ja vazhdimisht insistoi që të marrë postin e kryeparlamentarit.

Analisti i çështjeve politike, Artan Murati thotë për Radion Evropa e Lirë,  se arritja e një marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është pasqyrim real i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

“Ne do të kemi një qeveri krejtësisht legjitime, një qeveri e cila e gëzon edhe përkrahjen e qytetarëve. Padyshim ka qenë për keqardhje koha e gjatë e mospajtimeve sa i përket ndarjes së posteve politike, meqenëse të dy subjektet patën deklaruar që kanë harmonizuar programin qeverisës që është shumë pozitive, por të dhimbshme e bënte fakti që marrëveshja nuk arrihej për shkak të ndarjes së posteve. Kjo tani është zgjidhur dhe përfundimisht, kemi një marrëveshje të koalicionit që do t’i hapë rrugë votimit të qeverisë dhe funksionalizimit të institucione”, thotë Murati.

Njëra ndër sfidat më të mëdha për Qeverinë e re të Kosovës, shton Murati, do të jetë dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje. Ai thotë se dialogu me Serbinë është një prej çështjeve urgjente sa i përket politikës së jashtme.

“Mirë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e qartëson se kush është përgjegjës në këtë proces dhe ky proces është përgjegjësi direkte e kryeministrit të vendit. Duhet fillimisht të ketë një platformë shtetërore e cila duhet të pasqyrojë qëndrimin formal të Kosovës në këto negociata”.

“Problemi kryesor do të qëndronte nëse arrihet marrëveshja me Serbinë dhe duhet të ratifikohet pasi që ky koalicion nuk do të ketë 80 vota, aq sa duhen për të kaluar një marrëveshje ndërkombëtare dhe këtu duhen edhe votat e opozitës për të arritur një gjë të tillë dhe për këtë qëllim duhet të synohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thotë Murati.

Ndërsa, Ismet Kryeziu, drejtor  Ekzekutiv i KDI-së, vlerëson se e rëndësisë së veçante përveç qeverisjes së mirë, duhet të jetë emancipimi politik për mirëmbajtjen e koalicioneve me mandat të plotë qeverisës.

“Zgjedhjet e shpeshta e të parakohshme, krizat politike e diskursi shoqëror filloi të kultivonte të vetmen ambicie shoqërore, si të bëhesh politikan, e si teë përfshihesh në lista zgjedhore. Sikur e vetmja gjë atraktive, fitimprurëse e lëvërdishme të është partia politike e gara zgjedhore”, ka shkruar Kryeziu në një postim në Facebook.

Ai thotë se “funksionalizimi i institucioneve me mandat të plotë, është mundësi për stabilitet të jetës politike e perspektive zhvillimore”.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, i nisur në vitin 2011, u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia.

Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img