Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dënuar deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Sipas MPJD-së, kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por përben shkelje të hapur të Marrëveshje të Brukselit, të cilat thuhet se Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar me qëllim që t’i nënshkruaj.
“Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë”.
“Për më tepër, retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian”.
“Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera”, thuhet në reagimin e MPJD-së, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, ministria e Jashtme tha se përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si “garantuese e paqes në Ballkan” është absurde, pasi tha se asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia.
“Nga përfshirja e saj e drejtpërdrejtë në luftërat e agresionit në vitet 1990—që rezultuan në gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë—e deri te kërcënimet e saj të vazhdueshme, grumbullimi ushtarak pranë kufijve të Kosovës dhe mbështetja për rrjetet kriminale dhe terroriste që operojnë në veri të Kosovës, Serbia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë rajonale”.
“Për më tepër, pretendimi i Serbisë për neutralitet është hipokrizi, duke marrë parasysh marrëdhëniet e saj të thelluara politike dhe ushtarake me regjime autoritare si Rusia dhe Irani—të gjitha shtete që përbëjnë kërcënime serioze për sigurinë rajonale dhe globale. Ndërsa bota demokratike qëndron e bashkuar kundër agresionit, Serbia vazhdon të rreshtohet me vende jodemokratike që punojnë aktivisht kundër stabilitetit në Evropë dhe më gjerë”, thuhet më tej në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, MPJD u shpreh se në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe thellësisht mashtruese, Serbia duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon, duke nisur me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
“Për më tepër, përpara se Serbia t’u mbajë leksione të tjerëve për paqen dhe stabilitetin, ajo duhet të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që krimet e saj të përballen me drejtësinë”.
“Veçanërisht, arkivat e klasifikuara të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer krime të shumta lufte dhe masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë gjatë viteve 1998-1999, duhet të bëhen publike dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë paqe dhe pajtim të vërtetë në rajon”.
“Republika e Kosovës nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe partneritetet e saj ndërkombëtare në bashkëpunim me aleatët e saj”, thuhet në reagim.