Në maj të vitit 2023, këshilltari i kryekuvendari Glauk Konjufca, Drilon Gashi, u lirua nga detyra. Gashi ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij. Pas kësaj, kryekuvendari e emëroi si këshilltare bashkëshorten e Drilon Gashit, e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shkruan Demokracia.com.
Teuta Mahmutaj Gashi mori detyrën si këshilltare vetëm pak ditë pasi u lirua nga detyra burri i saj. Emërimi i saj u mbajt sekret nga kabineti i Konjufcës, por gjithçka u bë e ditur nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.
Sipas deklarimit të pasurisë, Teuta Mahmutaj Gashi mori detyrën më 6 qershor 2023. Lajmi nuk ishte bërë publik deri më tani, pasi ajo nuk është parë në Kuvendin e Kosovës nga askush. Ajo qëndron në shtëpinë e saj dhe sipas burimeve të Demokracia.com, del në Kuvend jashtëzakonisht rrallë.
Ashtu sikur Drilon Gashi që kishte deklaruar pasurinë si këshilltar, po ashtu edhe bashkëshortja e tij, Teuta Mahmutaj Gashi ka deklaruar pasurinë e saj. Ajo ka deklaruar se posedon shtëpi dhe toka të përbashkëta, një veturë në emrin e saj. Driloni, në vitin 2023, kishte deklaruar një kredi për blerjen e shtëpisë, me afat deri në vitin 2030, por të njëjtën nuk e ka deklaruar Teuta, ndonëse ka qenë e obliguar ta deklarojë në emrin e bashkëshortit.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti nuk punon, ndërsa pagën e saj në Kuvend e ka deklaruar në vlerë prej 10,225.00 euro në vit. Drilon Gashi ishte dënuar nga Gjykata pasi që më 30 dhjetor 2017, në prag të vitit të ri të 2018, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij me grushte dhe e kishte goditur me dru. Gjykata i kishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.
Menjëherë pas dënimit, këshilltari Drilon Gashi kishte reaguar duke publikuar një fotografi bashkë me bashkëshorten e tij, Teutën.