Site icon PrishtinaPress

Marrëveshja e Komunës së Vitisë me kolegjin UBT që mund ta aktivizojë hetuesinë

Kolegji i Biznesit dhe Teknologjisë -UBT para dy javësh ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Vitisë për hartimin e Hartës Zonale Komunale. Sipas legjislacionit në fuqi, kjo marrëveshje rezulton të jetë e kundërligjshme dhe ka lënë hapësirë që të involvohën mekanizmat e hetuesisë.

Komuna e Vitisë i ka shmangur procedurat ligjore të konkurrushmerisë për të favorizuar kolegjin UBT për të rregulluar shfrytëzimin e hapësirës komunale për një periudhë disa vjeçare.

Marrëveshja është nënshkruar në mes të rektorit të UBT-së, i cili është edhe pronar, Edmond Hajrizi dhe nënkryetarit të Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

Inicimi i një aktiviteti të tillë është bërë duke shmangur, autoritetin e Kuvendit Komunal, i cili është institucioni që duhet të japë pëlqimin për një nismë të tillë, dhe pas finalizimit, të miratojë dokumentin.

Ekzekutivi komunal nuk e ka dërguar farë në Kuvend për miratim vendimin për hartimin e Hartës Zonale, ashtu siç e përcakton Ligji për Planifikim Hapësinor edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Në komunën e Vitisë kanë pohuar se marrëveshja ende nuk është në fuqi.

“Në saje të jetësimit të kësaj të drejte, Komuna e Vitisë është në procedurë të finalizimit të kësaj marrëveshje, ngase duhet të aprovohet edhe në Kuvenduin e Komunës së Vitisë. Vendimi hynë në fuqi datën e aprovimit nga ana e Kuvendit dhe marrja e konfirmimit ligjor nga Institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vitisë për Periskopin.

Mirëpo, komuna e ka pasur obligim ligjore që njëherë të marr miratimin e Kuvendit, më pas të marrë hapa tjerë.

Meqë marrëveshja është nënshkruar nga nënkryetari i Komunës, Hasan Aliu. Periskopi ka kontaktuar edhe më të. Edhe ai e ka arsyetuar nënshkrimin e tij. “Pas projektit të parë të suksesshëm – hartimi i Planit Zhvillimor Komunal, kemi vendosur që bashkëpunimin ta bashkëpunojmë edhe për hartimin e Hartës Zonale. Për ne marrëveshja është e ligjshme. Për këtë e kam marr konfmimin edhe të zyrës ligjore. Por, kjo nuk është akoma në fuqi, le të shohim, për të vendos Kuvendi i Komunës, pastaj edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, tha Aliu.

Shkelja po aq e madhe është edhe për faktin se Komuna nuk e ka futur në konkurrencë këtë nismë, sipas ligjit, por ka lidhë marrëveshje favorizuese.

Miratimi i Hartës Zonale është dokument që Komuna duhet ta miratojë, pasi i njëjti buron nga Ligji NR .04 /L-174 për Planifikim Hapësinor. E ky ligj ka paraparë hollësishëm të gjithë hapat se si duhet të procedohet në një rast të tillë.

Neni 10 i këtij ligji, flet për  Përgjegjësit e Kuvendit Komunal në Planifikimin Hapësinor. “2.1 Kuvendi komunal është përgjegjës për: aprovimin e propozim vendimit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, Hartës Zonale të Komunës, si dhe Planeve Rregulluese të Hollësishme”. Kësaj pike i është shmangur Komuna.

Pak më poshtë, ose tek pika 1.5.2 e ligjit tregohet se konkurset për projektim të planifikimit hapësinorë duhet të kryhen sipas Ligjit të Prokurimit Publik, dhe jo ashtu siç ka vepruar komuna me marrëveshje. “konkursit të projektimit, në përputhje më Ligjin Nr. 03 /L-241 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës”.

Ligji i Prokurimit Publik -LPP flet në nenin 20 dhe 21 për Konkursin e Projektimit. Konkursi projektimi, sipas këtij ligji është një procedurë prokurimi që ka për qëllim t’i mundësoj autoritetit kontraktues të fitoj një plan ose një projekt të zgjedhur nga një juri, pasi që është vënë në konkurrim me ose pa shpërblim, veçanërisht në sferat e planifikimit hapësinor, planifikimit urbanistik, arkitekturës, ingjinieringut, përpunimit të të dhënave, dhe projektet e veprave të artit.

Në dokumentin e marrëveshjes, të cilin e posedon Periskopi, neni IX – tek Njoftimet tregohet se cilët janë personat të cilët që mund të kontaktohet lidhur me zbatushmërinë e saj. Nga UBT, emrin aty e ka Shqiprim Ahmeti, cili është Koordinator i UBT -Instituti për Studime Urbane dhe Planifikim Hapsinor.

Periskopi ka dërguar pyetje në adresën e Ahmetit, meqë ai është person kontaktues për implementimin e marrëveshjes. Por, i njëjti rezulton të jetë edhe këshilltar i Ministrit  të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai nuk ka dashur të përgjigjet lidhur më atë se si është nënshkruar kjo marrëveshje në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor, pasi vet është i thirrur që ta interpretojë atë.

Sipas dokumentit të nënshkruar nga palët, qëllimi i kësaj marrëveshje është të sigurojë një kornizë bashkëpunimi brenda së cilës UBT dhe Komuna e Vitisë hartojnë së bashku Hartën Zonale Komunale dhe Raportin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Komunën e Vitisë.

Palët kanë rendë dakord që Marrëveshja përmban edhe detyrime financiarë. Kosto totale e projektit është 145 mijë euro. Nga kjo kosto 70 mijë euro (48.3% e shumës totale) do të mbulohet nga Komuna e Vitisë. Ndërsa pjesa tjetër 75 mijë euro do të mbulohet nga UBT

Me gjithë së, nënkryetari thotë se marrëveshja hynë në fuqi pas aprovimit nga Kuvendi, neni XI i sajë është kujdesur që ajo të hyjë në fuqi menjëherë pas datës së nënshkrimit. “ Kjo MB hyn në fuqi në datën e nënshkrimit nga përfaqësuesit e autorizuar të Palëve, dhe do të jetë efektive për periudhën deri në përfundimin e projektit, përveç nëse ndërpritet deri në përfundimin e projektit, përveç nëse ndërpritet më herët nga ndonjë Palë në përputhje me Nenin VI”.

Kuvendi Komunal është përgjegjës edhe  që të bëjë miratimin e Hartës Zonale pasi të jetë gati si dokument final. Komunat ka disa vite që kanë iniciuar këso aktivitete dhe ketë e kanë bërë nëpërmjet kuvendit Komunal. P.sh, komuna e Prishtinës në vitin 2018 e kishte dërguar në Kuvend Vendimin për Fillimin e Hartës Zonale. Më pas e kishte vendosur në tender publik hartimin e sajë, ku kishte vendosur kriteret për garë. Por, konkursi i kishte dështuar disa herë.

Çka është Harta Zonale?

Zonimi është një mjet që iu mundëson komunave të rregullojnë shfrytëzimin dhe zhvillimin e tokës për tërë territorin e komunës. Kjo nënkupton rregullimin e resurseve dhe mjedisit, infrastrukturës dhe shërbimeve përcjellëse, me synim të sigurimit të zhvillimit hapësinor, fizik, ekonomik, social dhe mjedisor, shëndetit, si dhe mirëqenies së komuniteteve urbane dhe rurale. Konteksti i zonimit në Kosovë sipas legjislacionit përcakton dy gjëra kryesore:

Rregullat për shfrytëzim dhe zhvillim që ofron mundësi të zhvillimit dhe kufizimeve për qytetarët, pronarët, investitorët dhe institucionet qeveritare.

Zbatimin e projekteve kapitale në përgjegjësi të autoriteteve qeverisëse qendrore dhe lokale, në harmoni me buxhetin dhe afatet kohore të dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Zonimi funksionon me ndarjen precize të territorit në zona funksionale. Për çdo zonë, duke u bazuar në hartën e shfrytëzimit të planifikuar të tokës, përcakton shfrytëzimin e tokës, kushtet zhvillimore dhe masat mbrojtëse për periudhën e planifikuar të zhvillimit (Neni 6, UA MMPH-NR. 24/2015). Zonimi bazohet në konceptin një zonë- një palë kushte zhvillimore. Kushtet e përcaktuara për një lloj zone vlejnë për secilën sipërfaqe ku ajo zonë është e pozicionuar gjeografikisht.

Plani Hapësinor i Kosovës (PHK) dhe Harta Zonale e Kosovës (HZKos) janë dokumentet kryesore të sektorit të planifikimit hapësinor që rrjedhin nga Ligji për Planifikim Hapësinor. Me ndryshimin e Ligjit të realizuar në vitin 2013, Harta Zonale si dokument bëhet pjesë e sistemit të planifikimit hapësinor në të dy nivelet e qeverisjes. Sipas këtyre ndryshimeve është Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në nivelin qendror dhe Drejtoritë përkatëse nga niveli lokal i qeverisjes, përgjegjëse që në afate të caktuara kohore të nxjerrin këto dokumente të rëndësishme sektoriale.

Exit mobile version