Site icon PrishtinaPress

Marrëdhëniet me Kurtin, Xhaferi: Në komunikimin institucional s’ka dhe nuk do të ketë asnjëherë pengesa

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, ka folur për raportet e tij me kryeministrat e vendeve të rajonit, veçmas me atë të Kosovës.

Në aspektin institucional, Xhaferi theksoi se komunikimi do të jetë i vazhdueshëm.

“Në rajon kam shumë homologë. Nuk ka pengesa të komunikimit të ndërsjellë. Nuk më takon mua të komentojë vendimet politike të Kurtit. Në marrëdhëniet institucionale nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa. Nuk do të ketë pengesa në komunikimin institucional. Ne përfaqësojmë qytetarët, dhe raporti im me qytetarët e Kosovës nuk mund të bazohet mbi raportin personal të subjektit politik që e përfaqëson kryeministri në Kosovë. Kështu që nuk ka dallim dhe pengesa për komunikim dhe nuk do të ketë pengesa nga ana ime”, tha ai.

“Përmes rrjeteve sociale të gjitha institucionet bazë më kanë uruar. Nuk kam marrë asnjë urim nga Serbia, as zyrtare e as personale. Është çështje e sjelljes diplomatike, nuk më bën përshtypje në aspektin personal”, tha Xhaferi për EuronewsAlbania.

Të dielën, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Exit mobile version