President i Federatës së Paqes Universale për Evropë dhe Lindje të Mesme, Jacques Marion deklaron se pas sulmit terroristë të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kosova është në një situatë më të komplikuar dhe e vetmja zgjidhje për të arritur paqe mes dy vendeve, është dialogu.
Marion në një intervistë për KosovaPress, vlerëson se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet më shumë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin e vetëm që të ketë një zgjidhje të përbashkët.
Ai thotë se në të njëjtën kohë, Kosova mund të organizohet edhe më shumë brenda vendit në nivel të shoqërisë civile dhe mund të organizojë një atmosferë apo një mjedis që mundëson lidhje më të lehtë ndërmjet serbëve dhe kosovarëve.
Marion derisa flet për pozitën e Kosovës në dialog, thotë se pavarësisht se dy vendet kanë qëndrime të ndryshme, kanë edhe interesa të përbashkëta.
“Kosova është në një situatë më të komplikuar tani sepse është në mes të një konflikti dhe konflikti është intensifikuar. Dhe kështu mendoj se më së shumti duhet të jetë fokusi në dialog. Dhe dialogu, natyrisht, nuk mund të përfshijë vetëm Serbinë dhe Kosovën, BE-ja duhet të përfshihet shumë, mendoj, siç e përmendën të gjithë, BE-ja duhet të jetë e përfshirë edhe më shumë, e dini, ndoshta e përfshirë pozitivisht në atë dialog. Por mendoj se Serbia dhe Kosova kanë, natyrisht, qëndrime të ndryshme dhe mund të qëndrojnë në qëndrimet e tyre, por kanë edhe interesa të përbashkëta”, deklaron Marion.
Sipas Marion, fokusi duhet të jetë te interesat e përbashkëta dhe jo te qëndrimet e njëanshme.
“Ne kemi interesa të përbashkëta, ne duhet të fokusohemi në interesat tona të përbashkëta në vend që të fokusohemi vetëm në qëndrimet tona, apo jo, dhe me sa besoj personalisht, mendoj se është shumë e rëndësishme krijimi i dialogut brenda Kosovës, në nivelin e shoqërisë civile mes komunitetit serb, komunitetit kosovar, dhe komunitetit shqiptar. Ndoshta nuk është e lehtë, por mendoj se është shumë e rëndësishme, mendoj se qeveria duhet të vë këtu theksin përmes OJQ-ve të ndryshme e kështu me radhë, apo jo. Dhe kështu sigurisht që dialogu duhet të vazhdojë në nivel politik, por edhe dialogu duhet të vazhdojë apo zhvillohet në nivel lokal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por brenda Kosovës, brenda komuniteteve serbe dhe popullatës së Kosovës”, shton ai.
Situata e krijuar në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku, ai thotë se ajo situatë tregon se ka manipulim të konfliktit dhe se është e papranueshme.
“Është e papranueshme (situata në veri). Kjo është përmendur qartë, është diskutuar qartë. Ajo situatë tregon se ka manipulim të konfliktit dhe kjo jo vetëm që është e papranueshme, por edhe ka për të mbaruar keq sepse nuk mund ta zgjidhni problemin me atë lloj dhune në asnjë mënyrë. Pra, mendoj se u zbulua hapur dhe doli në publik dhe tregoi se kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë dhe që nuk duhet të përsëritet”, thotë Marion.
Ai rithekson se Kosova duhet të vazhdojë dialogun me mbështetjen e Amerikës dhe BE-së.
“Kosova duhet të vazhdojë dialogun, natyrisht, me Serbinë dhe natyrisht, me mbështetje të jashtme si të Amerikës, BE-së e kështu me radhë, dhe në një mënyre diplomatike të përpiqet të hapë më shumë dyer, madje edhe në mbarë botën të marrë më shumë mbështetje. Por, në të njëjtën kohë Kosova mund të organizohet edhe më shumë brenda vendit në nivel të shoqërisë civile, mund të organizojë një atmosferë apo një mjedis që mundëson lidhje më të lehtë ndërmjet serbëve dhe kosovarëve. Brenda Kosovës keni komunitete serbe, keni komunitete shqiptare, nëse Kosova do të jetojë dhe zhvillohet si shtet, duhet që këto komunitete të gjejnë një mënyrë për t’u bashkuar, të paktën të kenë një nivel lidhjeje dhe marrëdhëniesh në mënyrë që njerëzit të mund të ndjejnë se mund të jetojnë së bashku në një vend, përndryshe, e ardhmja nuk do të jetë e mirë. Kështu që unë mendoj se shoqëria civile është shumë e rëndësishme”, përfundon Marion.