Maqedonia e Veriut ka dëbuar tre diplomatë rusë, që shënon dëbimin e tretë të diplomatëve të këtij shteti që nga fillimi i pushtimit rus ndaj Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të shtunën, më 16 shtator, se diplomatët janë dëbuar për shkak të “veprimtarisë së tyre në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, pa dhënë detaje tjera se për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë.
“Më 12 shtator, ambasadori i Federatës Ruse është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën janë shpallur persona non grata [persona të padëshiruar] tre diplomatë në Ambasadën e Federatës ruse në Shkup”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Informacionin për shpalljen e diplomatëve rusë si “persona të padëshiruar” fillimisht e ka bërë të ditur Ambasada Ruse, më 15 shtator.
Vendimi i MPJ-së së Maqedonisë së Veriut është publikuar në rrjetin social X – që më herët njihej si Twitter –dhe në postim është përcjellë komenti i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Për Rusinë, shpallja e tre diplomatëve të padëshirueshëm është një “akt i papërgjegjshëm dhe armiqësor”.
“Më 12 shtator, autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pa sqaruar arsyet, i shpallën ‘persona non grata’ tre diplomatë të Ambasadës ruse në Shkup. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratën e Ambasadës ruse.
Në mars dhe prill të vitit 2022, Maqedonia e Veriut kishte dëbuar 11 diplomatë rusë, me arsyetimin e njëjtë, përkatësisht “shkeljen e Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike”.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Rusia kishte dëbuar një diplomat maqedonas nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë.
Në Ambasadën ruse në Shkup janë raportuar se janë gjithsej 19 diplomatë rusë, së bashku me ambasadorin dhe dy përfaqësues ushtarakë./REL