0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Maqedoni, vazhdon debati për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit

Parlamenti i Maqedonisë po debaton për të dytën ditë me radhë lidhur me zgjedhjen e kryetarit të tij të ri. Partia VMRO-DPMNE po përpiqet që përmes zvarritjes së seancës të bllokojë zgjedhjen e kreut të parlamentit, i cili pritet të jetë një politikan shqiptar, për herë të parë që nga pavarësia e vendit në vitin 1991.

Talat Xhaferi është kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim i mbështetur dhe nga Lidhja Social Demokrate dhe Aleanca për Shqiptarët. Por, zoti Xhaferi nuk ka mbështetjen e Lëvzjes “Besa”, e cila ka pesë ligjvënës në parlamentin e Maqedonisë. Votimit në parlament duhet t’i paraprijë formimi i Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Ky organ do të merret edhe me propozimet e tjera për poste drejtuese të parlamentit. VMRO-DPMNE ka gjashtë anëtarë në këtë komision, ndërsa LSDM, 5. BDI dhe Lëvizja “Besa” kanë nga një anëtar. Lëvizja “Besa” ka bërë të ditur se do të jetë e përmbajtur, përkatësisht nuk do të votojë kundër kandidaturës së Talat Xhaferit edhe pse nuk e mbështetë atë për në postin e kreut të parlamentit. Në këtë rast, komisioni do të kishte votat e nevojshme në favor të zotit Xhaferi, që kandidatura e tij të kalojë në seancë plenare për debat dhe votim. Atij i duhen 61 vota për të marrë postin. LSDM me partitë shqiptare, pa Lëvizjen “Besa”, ka 62 vota.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së i kundërpërgjigjen njëri-tjetrit, duke bërë kështu që seanca të zvarritet për orë të tëra. Seancën e drejton ish-kryetari i parlamentit Trajko Velanovski. Sipas njohësve të rrethanave kushtetuese, ai po shkel rregulloren duke lejuar debate jashtë temës dhe replika të shpeshta të deputetëve.

Në këtë periudhë që presidenti i vendit Gjorgje Ivanov nuk po ia jep shumicës parlamentare mandatin për formimin e qeverisë, kryetari i parlamentit mund të luajë një rol kyç në zgjidhjen e ngërçit. Ai mund të thërrasë seancën ku do të paraqitej programi i pretendentit për formimin e qeverisë, në këtë rast Zoran Zaev i LSDM-së dhe të votohej kabineti i ri qeveritar.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit synonin dhënien fund të krizës politike që ka përfshirë vendin që prej para dy vjetësh me shpërthimin e skandalit të përgjimeve. Por, edhe pas tre muajsh nga zgjedhjet, kriza jo vetëm që nuk është zgjidhur, por duket se ajo është thelluar edhe më tej.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img