Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka komentuar raportimet e mediave e ditëve të kaluara për mungesë të ushqimit për FSK-në.
Maqedonci i ka cilësuar këto lajme si “të pavërteta” dhe të nxitura nga forca të jashtme dhe të brendshme që, sipas tij, synojnë të krijojnë pasiguri dhe të destabilizojnë sigurinë e vendit.
Sipas tij, disa prej këtyre raportimeve mund të jenë nxitur nga individë që mbajnë lidhje me shërbime të huaja dhe kanë synim të cenojnë interesat e Kosovës.
“Brenda vendit mund të kemi ende faktorë që kanë lidhjet e tyre jashtë Kosovës. Më saktësisht kemi pasur raste kur janë identifikuar edhe persona të cilët vazhdojnë të punojnë edhe për shërbime të huaja. Dhe ato dashakeqe për vendin tonë. Është ushqyer si lajm nga shërbimet dashakeqëse, është rritur, formësuar në mënyrë të krijojë pasiguri. Pa u marrë parasysh deklaratat zyrtare, të cilat janë nga i gjithë stafi i ministrisë”, ka theksuar Maqedonci për Dukagjinin.