Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dalë me sqarim sa i përket çështjes me shujta të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Duke marrë parasysh çështjet e ngritura në lidhje me furnizimin me ushqim për pjesëtarët e FSK-së, ju njoftoj se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë këtyre ditëve kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, shkruan ministri në Facebook.
Ndër të tjera, Maqedonci thotë se ai, bashkë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin, kanë kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së.
Që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, pothuajse çdo herë pas përfundimit të kontratave trevjeçare, si rezultat i ankesave nga operatorët ekonomikë të cilat janë adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë zhvilluar procedurat për lidhjen e kontratave emergjente. Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata të jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj. Për të adresuar këto sfida të përsëritura, unë, së bashku me Komandantin e FSK-së, kemi kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së. Përmes këtyre veprimeve, synojmë të minimizojmë ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së”, shkruan tutje i pari i Mbrojtjes.
“Jemi të vetëdijshëm se aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi kërkojnë afate të caktuara kohore për procesin e rekrutimit të personelit profesional për kuzhinat e FSK-së. Megjithatë, do të zbatojmë me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së. Pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që e kemi bërë me datën 10 tetor, do të vazhdojmë të ndjekim hapat e nevojshëm për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së. Nëpërmjet këtyre masave, ne synojmë të forcojmë kapacitetet tona operacionale, duke garantuar që çdo pjesëtarë i FSK-së të marrë shërbimin e duhur dhe cilësor që meriton. Kjo qasje do të ndihmojë në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe efikas, duke kontribuar kështu në rritjen e imazhit të FSK-së dhe në besimin e publikut në institucionet tona”.