Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është në procesin e pagesave për blerjen e sistemeve raketore Javelin, duke theksuar se kjo është vetëm një nga shumë sistemet që janë pjesë e arsenalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Jemi në fazën e ekzekutimit të pagesave për blerjen e sistemev Javelin, dhe besoj që pas diskutimeve që do t’i kemi të mëtejshme me strukturat shtetërore dhe kompaninë që prodhon Javelin ne do të kemi një informacion më të detajuar për kohën e arritjes së këtyre sistemeve në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ministri Maqedonci.
“Javelin”, a është i vetmi sistem raketor që ka Kosova?
Ministri Maqedonci gjithashtu ka theksuar se Kosova ka prokuruar edhe sisteme të tjera raketore anti-tank, duke përfshirë sistemin “OMTAS” nga Turqia.
“Jo, ne i kemi blerë edhe më herët dhe i kemi ekspozuar disa sisteme të tilla, një ndër to ka qenë sistemi “OMTAS” që është i përafërt me Javelin dhe që prodhohet në Republikën e Turqisë këtë sistem e keni qe dy vite në inventarin e FSK-së, po gjithashtu kemi edhe sisteme të tjera anti-tank që i kemi prokuruar dhe që janë pjesë e sistemeve të FSK-së”, ka thënë Maqedonci në RTV Dukagjini.