Site icon PrishtinaPress

Maqedonci e njofton homologun finlandez rreth situatës në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po qëndron për një vizitë zyrtare në Finlandë.

Ai është pritur në takim nga homologu finlandez, Antti Häkkänen, kanë zhvilluar një takim në të cilin është diskutuar për zhvillimet e fundit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu Maqedonci e ka njoftuar atë edhe rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe e ka informuar rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët gjatë kësaj periudhe.

“Ministri Häkkänen theksoi se Finlanda do të vazhdoj të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale. Gjatë vizitës në Finlandë vizitoi edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE për kërcënimet hibride (Hybrid CeO). Me drejtoreshën e kësaj qendre diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride”, thuhet tutje në njoftim.

Exit mobile version