Sadio Mane është rikthyer të flasë për aventurën te Bayern Munchen dhe sherrin me Leroy Sane. Sulmuesi senegalez, i cili verën e vitit të kaluar u transferua nga Liverpooli (32 mln euro), fitoi Superkupën e Gjermanisë dhe titullin kampion në edicionin e parë si bavarez.
Në një rrëfim për Sport 1, 31-vjeçari theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga rekordmenët e futbollit gjerman. “Po, me dëshirën e Zotit do të qëndroj te Bayerni.
Mua më pëlqejnë sfidat, dhe Bayerni është një sfidë e madhe. Tani më takon mua të bëj gjithçka siç duhet. Ishte një sezon shumë i komplikuar. Mund të ndodhë, nuk ishte surprizë. Është normale.
Sherri me Sane?Gjëra të tilla mund të ndodhin. Shkoi ashtu siç shkoi. Në fund arritëm të zgjidhnim problemin e vogël mes nesh. E kemi lënë pas krahëve atë ngjarje, i takon së kaluarës.
Do të përpiqemi të luftojmë së bashku që klubi të arrijë qëllimet e tij sezonin e ardhshëm“, deklaroi sulmuesi afrikan, i cili goditi me grusht shokun e skuadrës në dhomat e zhveshjes pas duelit të Champions League përballë Manchester City.