Manastiri i Deçanit i ka reaguar kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, i cili së fundi në një emision tha se ka dyshime që shërbimet sekrete serbe kanë qenë të përfshirë në sulmet ndaj manastireve në Kosovë në trazirat e vitit 2004.
Në trazirat që u nisën pas mbytjes së dy fëmijëve shqiptarë në Lumin Ibër në Mitrovicë, të cilët ishin ndjekur nga një turmë e serbë deri në lum, u vranë 11 shqiptarë dhe u shkatërruan edhe disa objekte fetare.
Limaj hodhi dyshime se kishat u shkatërruan nga shërbimet sekrete serbe. Për këtë kanë reaguar nga manastiri i Deçanit.
“Deklaratat e disa politikanëve shqiptarë nga Kosova se serbët shkatërruan kishat e tyre janë absurde dhe imorale”, thuhet në deklaratën e manastirit.
Tutje manastiri i konsideron shqiptarët si “ultranacionalistë” edhe pse trazirat kishin filluar pas rastit të mbytjes së fëmijëve, ndërsa jep një numër ta pasaktë të kishave të shkatërruara.
“150 kisha ortodokse serbe në Kosovë u shkatërruan nga ultranacionalistët shqiptarë të Kosovës dhe shumë nga këto akte vandalizmi u regjistruan. Askush nuk u mbajt përgjegjës për këto krime.”
Sipas raporteve zyrtare thuhet se ishin afër 35 kisha të dëmtuara.
Në të njëjtin emision në Kanal 10, Limaj ka akuzuar shërbimet sekrete serbe edhe për përgatitjen e atentatit ndaj tij, si dhe ish-deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili aktualisht ndodhet në Hagë.
Një pjesë e kishave të dëmtuara janë rindërtuar nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe dhe misionin e OKB-së në Kosovë.