Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ambasadorët e vendeve të BE-së, anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të kryesuar nga ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Komandanti i KFOR-it Salvatore Cuoci, vizituan punimet në rrugën Deçan-kufiri me Malin e Zi, ku u njoftuan nga afër se punimet janë duke u kryer jashtë Zonës së Mbrojtur dhe se po respektohen ligjet e vendit për zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, duke i ofruar zonës një perspektivë më të mirë zhvillimore dhe qarkullim të lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Lekaj, duke i falënderuar ambasadorët e vendeve të BE-së, anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ambasadoren Apostolova dhe Komandantin e e KFOR-it Cuoci, ka ripohuar sërish se Ministria e Infrastrukturës dhe ai si ministër i saj, mbeten të përkushtuar që të respektojnë zbatimin e ligjit dhe të punojnë konform ligjeve të vendit, në të mirë të qytetarëve dhe komuniteteve në tërë vendin, transmeton Indeksonline.
Lekaj tha se ky projekt nuk ka asnjë qëllim tjetër pos lehtësimit të qarkullimit rrugor dhe ofrimit të një infrastrukture rrugore për bizneset, mallrat dhe qytetarët e kësaj zone të pasur me bukuri dhe perspektivë për zhvillim të turizmit.
Ministri Lekaj, i sqaroi edhe ambasadorët, por edhe opinionin publik, se Qeveria Haradinaj dhe ai si ministër i kësaj qeverie, do të punojnë me përkushtim që jeta e qytetarëve të kësaj zone dhe perspektiva e turizmit të kësaj ane të përmirësohet me infrastrukturë, e cila pos tjerash sjellë edhe zhvillim më të madh ekonomik dhe qarkullim të lirë dhe të shpejtë për mallrat dhe qytetarët e vendit tonë, e sidomos për banorët e kësaj pjese të vendit.