Site icon PrishtinaPress

Maloku: Djemtë e mi i nxora jashtë vendit, s’munda t’iu siguroj kushte në Kosovë

Ish-eprori i UÇK’së, Naim Maloku, ka njoftuar se është ftuar nga Gjykata Speciale e Hagës në cilësinë e dëshmitarit. Këtë njoftim ai e ka dhënë nga Sllovenia, pasi atje është duke u rikuperuar pas një operacioni që ka pasur.

Teksa ka folur për situatën në Kosovë, Maloku ka treguar se tre dejmtë e tij janë detyruar që të largohen drejt shteteve të huaja, pasi që nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje në Kosovë.

“Tre djemtë e mi janë jashtë Kosovës. Unë s’kam mujt me iu bo zgjidhje në vendin e vet, janë detyru me u largu”, ka thënë Maloku në infomagazinë.

Ndër të tjera ai ka thënë se e respekton vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Tribunalit, dhe ka treguar se do t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale.

“Unë e respektoj vendimin e Kuvendit të Kosovës për me e themelu tribunalin. Do ta respektoj dhe do t’i përgjigjem ftesës”, ka potencuar Maloku.

Ai ka treguar se momentalisht është duke u trajtuar në spitalin onkologjik në Ljublanë, duke shtuar se nuk ka mundësi të shkojë në Hagë.

“Aktualisht jam duke u trajtuar në spitalin onkologjik në Ljublanë, nuk kam mundësi me shku në Hagë, por jam i gatshëm me iu përgjigj atyre kurdo që e shohin të arsyeshme”, shton tutje Maloku.

Për Gjykatën Speciale thotë se është mirë që të fillojnë proceset sa më parë, dhe të mbyllet një herë e mirë ajo çështje. Sipas tij aty do të dalë e vërteta për luftën çlirimtare të UÇK’së.

“Gjykata Speciale tashmë masi është votu nga Kuvendi i Kosovës, mendoj që sa më parë të fillojnë proceset është më mirë. Që të dalë e vërteta për UÇK’në, ka qenë luftë clirimtare, sepse nuk kemik pasur rrugë tjetër, përvec rezistencës së armatosur. Kemi luftuar në vendin tonë, nuk kemi shkuar në ndonjë vend tjetër për t’i djegur kishat apo shtëpitë. Kemi luftu me e heq ushtrinë dhe policinë serbe e ushtrinë nga Kosova”, ka thënë ndër të tjera Maloku.

Exit mobile version