Eksperti i çështjeve politike, Agon Maliqi në një postim të tij në Facebook ka thënë se nuk duhet të injorohet tërësisht “njohja e tërthortë” midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të heq dorë nga kërkesa për njohje të drejtpërdrejtë, por ajo që Maliqi e quan “njohje e tërthortë” e që do të ishte një marrëveshje për mosbllokimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e evropiane sipas tij është “de fakto” njohje.
Maliqi thotë se kjo “njohje e tërthortë” do të ishte “larje fytyre” për Vuçiqin dhe do të ulte koston e kompromisit nga ana e Kosovës, pasi sipas tij, Kosova nuk ka garanci për hyrje në OKB ku është pengesë Rusia.
“Pamundësia për ta imponuar një kompromis paralizues i cili do ta zhbënte së brendshmi efektin e njohjeve ndërkombëtare është shqetësimi kryesor i Beogradit. Jo rastësisht zëra nga “shteti i thellë” kleriko-fashisto-nacionalist në Serbi janë të alarmuar paksa nga zhvillimet e fundit. Mbetet të shihet se kush do t’ju bashkohet atyre në Kosovë.”, shkruan Maliqi.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
Kosova asnjëherë nuk duhet të heq dorë zyrtarisht nga kërkesa për njohje të drejtpërdrejtë. Por nuk duhet harruar se edhe “njohja e tërthortë” e cila ia hap Kosovës rrugën për njohjen e shteteve të BE/NATO dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare (sidomos atyre europiane) është de fakto njohje, sepse ia zgjidh në masë të madhe Kosovës problemin më të madh të izolimit. Le të mos e njohë Serbia formalisht një shtet i cili për disa vite (për shkak të heqjes së pengesave) mund të jetë pjesë e NATO-s. Gjithsesi, “njohja e tërthortë” sipas modelit të dy Gjermanive, si formë e “shpëtimit të fytyrës” për Vuçiq, do të duhej që njëkohësisht ta ulte edhe koston e kompromisit nga ana e Kosovës. Kjo edhe për faktin se Kosova nuk ka garanci për hyrje në OKB, ku pengesë është Rusia e cila i ka pazaret e veta me perëndimin. Pamundësia për ta imponuar një kompromis paralizues i cili do ta zhbënte së brendshmi efektin e njohjeve ndërkombëtare është shqetësimi kryesor i Beogradit. Jo rastësisht zëra nga “shteti i thellë” kleriko-fashisto-nacionalist në Serbi janë të alarmuar paksa nga zhvillimet e fundit. Mbetet të shihet se kush do t’ju bashkohet atyre në Kosovë.