Edi Rama e quajti vetëm imagjinatë deklaratën e tij për një President gjithëkombëtar bërë pikërisht në festën e Pavarësisë së Kosovës. Por ish- këshilltari i tij, Shkëlzen Maliqi, nuk po e konsideron idenë e tij si fantazi. Thotë se një president i përbashkët Shqipëri – Kosovë do t’u shërbente të dyja vendeve.
Kjo sipas Maliqit, mund të diskutohet në shumë rrafshe dhe nuk është kurrfarë gogoli që synon “gëlltitjen” e mëvetësisë së Kosovës, ose që duke krijuar “Shqipërinë e Madhe”, i jep krah dominimit të gegëve mbi toskët që tani po trumbetohen si rreziqe për ardhmërinë e shqiptarëve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zgjoi reagim në përmasa më të gjëra kur e propozoi një president të përbashkët Kosovë dhe Shqipëri. Madje idenë e tij e hodhi poshtë edhe Komisioni Evropian, i cili tha se deklaratat e tilla që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Por njësoj, nuk mendon ish- këshilltari i Edi Ramës nga Kosova, Shkëlzen Maliqi. Ai për Express tha se duke supozuar se pas 10 vitesh Shqipëria dhe Kosova do të bëhen shtete më stabile dhe më demokratike seç janë sot, ato mund dhe duhet të ideojnë dhe projektojnë mënyra të ndryshme të përparimit dhe fuqizimit të tyre.
“Aktualisht proceset më determinuese për të dy shtetet janë ato të integrimeve euro-atlantike. Ardhmëria e Kosovës dhe Shqipërisë prej kohësh është vënë në këto dy binare: të bëhen pjesë e BE-së dhe NATO-s. Në të vërtetë, Shqipëria tashmë është në NATO dhe po kërkon hapjen e portës së BE-së, kurse Kosova synon të dy objektivat”, theksoi ai.
Sipas tij, përderisa këto objektiva janë në funksion të zhvillimit, rritjes së mirëqenies dhe të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë, dy shtetet nuk kanë arsye që të kërkojnë rrugët dhe mjetet alternative për ardhmërinë e tyre.
“Mirëpo, edhe nëse nuk do të kishin asnjë dyshim dhe brengë për domosdonë dhe qëndrueshmërinë e të qenit nën ombrellën euro-atlantike të mirëqenies dhe sigurisë, Kosova dhe Shqipëria e kanë edhe një interes tjetër të veçantë të përbashkët, që edhe brenda asaj ombrellë të kërkonë ide e projektime të përbashkëta fuqizuese” shprehet ndër tjerash Maliqi.
Duke pasur një gjuhë, histori, kulturë dhe zakone të përbashkëta, analisti kosovat thotë se Kosova dhe Shqipëria mund dhe duhet të fuqizojnë natyrshëm lidhjet e solidaritetit dhe partneritetit preferencial dhe jo vetëm në aspektet kulturore dhe arsimore, por edhe në energjetikë, ekonomi, turizëm, dhe veçanërisht në mbrojtjen nga cilido agresion i huaj
“Racionalja e idesë së Edi Ramës për krijimin e sistemit të mbrojtjes së përbashkët dhe të Prezidentit ndjek shtegun e kultivimit të këtij solidariteti të pakontestueshëm që duhet të ekzistojë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe pa qenë të integruar plotësisht në NATO dhe BE, si dy shtete sovrane dhe me interesa të veçanta solidare, ato mund të krijojnë lidhje të veçanta dhe institucionale të bashkëveprimit. Duke mos u shkrirë në një shtet, Kosova dhe Shqipëria mund të bëjnë pakt për mbrojtje i cili në rast të rrezikut nga jashtë mundëson organizimin e rezistencës së përbashkët”, sqaron ish këshilltari i Ramës, Shkëlzen Maliqi.
Madje ky pakt, sipas tij mund të kurorëzohet edhe me ngritjen e një institucioni ndërshtetëror të Prezidencës së përbashkët, që në kushtet e paqes mund të jetë instancë me pushtet ceremonial, por në gjendje lufte shndërrohet në organ sovran i cili koordinon dhe udhëheq luftën e përbashkët.
Maliqi e sqaron idenë e Ramës duke thënë se ky i fundit nuk e ka konkrentizuar idenë e prezidencës por e ka shtruar vetëm si opsion të përfaqësimit të përbashkët forma e të cilit duhet të mendohet mirë edhe pa i cenuar rendet kushtetuese të dy shteteve, e as duke mos shkaktuar dyshime në qarqet ndërkombëtare
“ P.sh. presidenti i Ramës mund të mos jetë thjesht instancë që zëvendëson presidentët aktual te Shqipërisë dhe të Kosovës, por me kushtetutat dhe ligjet e dy vendeve mund të përcaktohet që gjysmën e mandatit, duke u alternuar, pra herë njëri dhe herë tjetri, të janë edhe president të vendeve të tyre, e njëkohësisht të kryejnë edhe funksionin e superpresidentit garantues për funksionet e mbrojtjes dhe të politikave solidare të ratifikuara si objektiva nga të dy Kuvendet”, ka përfunduar ai.