Politologu Agon Maliqi ka bërë me dije se Kosova nuk e ka luksin e kthimit të pjesës veriore në vatër të përhershme konflikti dhe dhune.
Ai ka vlerësuar se Kosova duhet ta ketë për synim përmbylljen e shtetësisë dhe kontrollin e veriut me mjete politike.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo mund të arrihet vetëm me ndihmën e aleatëve.
“Policia dhe mjetet e sigurisë janë vetëm njëra pjesë dhe e pamjaftueshme e ekuacionit në zgjidhjen e problemit. Kosova nuk e ka luksin e kthimit të asaj pjese në vatër të përhershme konflikti dhe dhune e cila e mallkon edhe një brez në jetesë të mjerueshme, ku shqiptarë dhe serbë përfundojnë duke valuar flamuj kombëtarë në diasporë. Kosova e ka komoditetin për ta përmbyllur shtetësinë dhe për ta vendosur pathyeshmërish kontrollin mbi veriun me mjete politike, me ndihmën e atyre shteteve që dje e vendosën flamurin tonë në gjysmë shtizë sepse e njohin sovranitetin tonë mbi atë pjesë”, ka shkruar Maliqi.
Ai ka thënë se Kosova duhet t`i dëgjojë këshillat e SHBA-së.
“SHBA vazhdon të na porosisë të njëjtën gjë prej më shumë se një viti: shutojeni penalltinë në Bruksel! Tani që presioni u kthye drejt Vuçiqit për shkak të gafës me grupin terrorist, është koha t’i hidhet edhe topi i nxehtë i asociacionit ashtu siç e shohim të pranueshëm ne dhe siç na ka garantuar SHBA. Aty pastaj do të kuptohet edhe më mirë se cila është pala problematike dhe koston e dështimit eventual le ta paguajë Serbia”, ka shkruar Maliqi.