Site icon PrishtinaPress

Maksut Vezgishi kurator dhe Jehona Shyti komisionere të Kosovës për Bienalen e Venedikut 2020

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave, ka emëruar komisionerin dhe kuratorin për edicionin e 17-të të Bienales së Venedikut për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës për vitin 2020.

Jehona Shyti është emëruar komisionere e Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, që për këtë vit mbahet Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, për të 17-tën herë me radhë.

Ndërsa, arkitekti Maksut Vezgishi është emëruar kurator i Pavijonit të Kosovës në këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare.

Tema e sivjetme e ekspozitës, të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venedikut është “How we can live together”, kështu që edhe tema me të cilën do të përfaqësohet Republika e Kosovës në këtë ngjarje do të jetë brenda këtij koncepti.

Në bazë të vendimit të ministrit, komisionerja ka për detyrë të punojë ngushtë me kuratorin dhe të mbështesë ekzekutimin dhe menaxhimin e projektit me të cilin do të përfaqësohet Kosova në Bienale si dhe të zhvillojë komunikimin e dyanshëm me zyrtarët e Venedikut dhe me opinionin e gjerë.

Ndërkaq, kuratori ka për detyrë që përmes kreacionit të tij të zbatojë dhe realizojë projektin e Kosovës në Bienale, të cilën do ta zbatojë arkitekti prizrenas Maksut Vezgishi.

Kuratori Vezgishi ka përfunduar studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si asistent në këtë fakultet nga viti 1993-1996. Ka punuar si redaktor artistik në shumë revista si “Zëri”, “MM”, Thema”, “Sheshi” dhe në shtëpinë botuese “Dukagjini”, galerinë “Dodona” dhe në Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ai gjithashtu në fushën e skenografisë ka bashkëpunuar me teatro të shumta, në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel dhe Elbasan. Interesimi i Vezgishit për arkitekturë dhe arte vizuale është ‘eksperimenti/modernizmi’ duke kërkuar të kthejë vëmendjen tek arti aktual shqiptar. Ka realizuar një mori ekspozitash duke filluar nga viti 1982 deri në ditët e sotit, duke numëruar afër 40 sish. Po ashtu, kuratori prizrenas ka fituar shumë çmime e finalist në shumë ekspozita. Mund të veçohet çmimi i “Aleksandër Moisiut” në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Vlorë. Vezgishi jeton dhe vepron në Bruksel.

Exit mobile version