Site icon PrishtinaPress

Majko: Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk duhet t’i ngjajë atij Shqipëri-Greqi

Në kufirin Kosovë-Shqipëri po krijohen në vazhdimësi plot barriera për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Ministrit të Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko po i duket ky kufi, sikur ai me Greqinë.

Majko thotë se qeveritë shqiptare duhet të hapin kufijtë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, që do të ishte një ndihmues i jashtëzakonshëm për rritjen e këmbimeve dhe investimeve.

Ministri Majko, në intervistën për KosovaPress, thotë se bashkëpunimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të ndodhë në vepër, jo në letër.

“Bashkëpunimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të fillojë me gjet praktikë. Po të kalosh në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, të duket sikur po kalon në kufirin me një shtet tjetër, Greqinë apo Maqedoninë. Shikon karvanë që presin radhën për të kaluar doganat tona. Dhe, nuk them që ligjet e vendeve dhe shteteve tona nuk duhen respektuar, por mendoj se vendimi i të dy qeverive për të hapur kufijtë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve do të jetë një ndihmues i jashtëzakonshëm sepse penetrimi i investimeve të Kosovës në Shqipëri dhe pastaj të investimeve të Shqipërisë në Kosovë është ende shumë ulët në nivelin e pritshëm”, thotë Majko.

Ish kryeministri i Shqipërisë nuk çuditet që ende tregu i Serbisë ka influencë të madhe në Kosovë, sikur në tregun e Shqipërisë që ka influencë Italia, Greqia dhe tash që ka filluar Kina.

Sipas tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, blerësit janë bërë tradicionalë, që nuk e ndërron kollaj blerjen e një malli, por më vonë, sipas tij, do të çuditemi pse ka ndodhë një gjë e tillë.

“Ende ekonomia e Kosovës është më e orientuar nga vendet të tjera të tranzicionit, sepse vetë blerësi shqiptar, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, është një blerës tradicional që nuk e ndërron kollaj blerjen e një malli me një mall tjetër. Kështu unë nuk çuditem që akoma tregu i Serbisë ka influencë të madhe në Kosovë apo akoma tregu i Italisë dhe Greqisë, tani ka filluar dhe ai i Kinës, ka më shumë influencë tek ne. Në një kohë që ne me një politikë të kujdesshme, më lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, ne mund të prodhojmë gjëra që do të çuditemi më vonë se si i kemi bërë”, thotë Majko.

Ai mendon se nuk ka klimë të favorshme për invetsimet e diasporës në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas tij, as ofertë ekonomike ende të mirëfilltë nuk ka.

“Po të ishte klima kaq e favorshme, nuk do të diskutonim krijimin e dhomës së biznesit të diasporës në Shqipëri dhe të odës së biznesit të diasporës në Kosovë. Kemi administrata të cilat në një pjesë të madhe ende janë mediokre dhe që kur dikush ju flet shqip e respektojnë më pak se sa kur dikush ju flet anglisht, gjermanisht apo frëngjisht dhe kjo duhet thënë kështu siç është. Kështu që, nga ky këndvështrim mendoj që ne duhet të kuptojmë të folurën shqip në ekonomi dhe këtë jam i bindur që do t krijojmë nëpërmjet krijimit të mekanizmave se sa të dashurisë së politikës për diasporën. Dashuria e politikës është si puna e erës, është sot, nesër ikën. Ndërsa mekanizmat që po diskutojmë, të shkruara në ligj do të mbesin”, theksoi ai.

Majko ka shtuar se idetë e krijimit të Odës Ekonomike të Diasporës dhe Banka e Diasporës do të jetë një, e cila do të ketë degët e saj qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë dhe në Mal të Zi.

Ministri i Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko ka thënë se është e frikshme nga pikëpamja e ekonomisë nga diaspora, nga pikëpamja e të ardhurave që ofron, qoftë për Shqipërinë qoftë për Kosovën, që sipas tij, përfaqëson investimin më të madh në likuiditet të ekonomisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai thotë se gjithë këtë kapacitet, duhet orientuar jo në ndërtim shtëpish apo për bursa për shkollat e fëmijëve, por duhet të orientohet edhe në investimet e natyrave tjera.

Exit mobile version