Pjesëmarrja në protestat kundër Donald Trumpit ka kaluar të gjitha pritshmëritë, duke sinjalizuar kundërshtitë e mëdha popullore me të cilat do të përballet republikani gjatë mandatit të tij.
Mbi një milion njerëz marshuan në gati 600 manifestime në SHBA e përreth botës, në mbështetje të të drejtave të grave dhe për të shprehur pakënaqësitë për zgjedhjen e Trumpit president.
Marshimi për gratë grumbulloi pjesëtarë të Kongresit, emra të njohur të kinemasë dhe qytetarë të panumërt me slogane kundër udhëheqësit të ri. Manifestimi më i madh u mbajt në Uashington, ku rreth 500 mijë protestues mbushën shëtitoren “Pennsylvannia”, e njëjta ku Trump parakaloi ditën e betimit në prani të shumë më pak spektatorëve.
Gjatë mbrëmjes, turma u zhvendos drejt Shtëpisë së Bardhë.
Mes personaliteteve që folën kundër miliarderit, Madonna ishte padyshim më e ashpra, e cila teksa performonte këngën “Human Nature” lëshonte fjalë fyese për Trumpin. “Donald Trump, hënksh k**”, i ka thënë ajo Presidentit.
“Jam tmerrësisht e zemëruar dhe po mendoj shpesh të hedh në erë Shtëpinë e Bardhë”, tha Madona.
Pjesëmarrje e lartë protestuesisht u shënua edhe në Nju Jork, plot 400 mijë sipas vlerësimeve, ndërsa qindra mijëra të tjerë dolën në rrugët e qyteteve të tjera, përfshirë Chicagon, Bostonin e Los Angelesin, transmeton TCH.
Mobilizim kundër presidentit të sapoemëruar pati edhe në vende të tjera të botës, nga Australia deri në Antarktidë. Barcelona, Roma, Amsterdami, Gjeneva, Budapesti, Praga e Berlini ishin mes qyteteve europiane që iu bashkuan thirrjes. Edhe në Athinë, disa qindra grekë e shtetas amerikanë që jetojnë atje u mblodhën jashtë Ambasadës së SHBA-ve kundër presidentit amerikan.
https://www.youtube.com/watch?v=OKRNKHTTvsQ